Qeveria krijon DPAK- Drejtorinë Antikorrupsion, kush është ministri që do e ketë në varësi. Kalohet në ‘sitë’ administrata

Qeveria krijon DPAK- Drejtorinë Antikorrupsion, kush është ministri që do e ketë në varësi. Kalohet në ‘sitë’ administrata

Edi Rama

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur dje krijimin dhe mënyrën e funksionimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit (DPAK), e cila do të funksionojë si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, me seli në Tiranë.
Në vendimin e qeverisë, marrë në mbledhjen e djeshme thuhet se misioni i DPAK-së është të sigurojë parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore, entet publike, si dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
DPAK-ja ka përgjegjësi funksionale të organizojë punën për koordinimin e përcaktimin e instrumenteve të domosdoshme për implementimin e politikave të fushës kundër korrupsionit, si dhe zhvillimin e projekteve e të programeve në fushën kundër korrupsionit.

Po ashtu ajo duhet të angazhohet për rritjen e ndërgjegjësimit për zbatimin e politikave të fushës kundër korrupsionit; kryerjen e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
DPAK ndjek po ashtu edhe zbatimin e rekomandimeve të dhëna ndaj institucioneve. DPAK-ja drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit.
DPAK-ja për të realizuar misionin dhe për të ushtruar përgjegjësitë, sipas këtij vendimi mbështet ministrin për hartimin e politikave në fushën e antikorrupsionit; mbledh informacionin për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive nga burime të ndryshme dhe kryen hetimin administrativ brenda fushës së përgjegjësisë.
Po ashtu, DPAK planifikon dhe kryen hetime administrative për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi; bashkëpunon me agjencitë homologe të huaja, agjencitë e zbatimit të ligjit, struktura të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me organizatat jofitimprurëse për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në institucionet, pjesë e fushës së zbatimit të këtij vendimi, dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e antikorrupsionit.
DPAK harton dhe rishikon në mënyrë periodike analizën e vlerësimit të riskut për korrupsionin; përpunon të dhëna lidhur me veprimtarinë që ushtron dhe i publikon ato në mënyrë periodike në faqen e saj zyrtare, me qëllim garantimin e transparencës dhe informimin e publikut; paraqet kallëzim penal në organin e prokurorisë në rastet e dyshimit të arsyeshëm, verifikimit të indicieve apo administrimit të provave për praktikën korruptive; monitoron veprimtarinë e koordinatorëve antikorrupsion dhe kryen vlerësimin e punës së tyre çdo 6 muaj.
Në rastin kur është e nevojshme përfshirja e ekspertëve nga administrata shtetërore, drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së paraqet kërkesën pranë institucionit që mbulon fushën përkatëse për vendosjen në dispozicion të ekspertëve, të cilët kanë kualifikimet e cilësitë e kërkuara për kryerjen e hetimeve.
Vendimi parashikon po ashtu edhe institucionet, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, ku krijohet pozicioni i koordinatorit kundër korrupsionit. Koordinatorët kundër korrupsionit ushtrojnë veprimtarinë e tyre për institucionin ku janë emëruar në nivel qendror dhe rajonal/vendor.
Nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët kanë pavarësi gjatë verifikimit të rasteve korruptive, praktikave abuzive apo arbitrare.
Vendimi parashikon se nëpunësit e DPAK-së/koordinatorët fillojnë procedurën e hetimit në bazë të ankesave apo denoncimeve, të cilat administrohen nga DPAK-ja.
“Informacionet, ankesat dhe denoncimet anonime trajtohen vetëm në rastet kur të dhënat e paraqitura pranë koordinatorit sigurojnë bazë të mjaftueshme për të filluar procedurën e verifikimit”, thuhet në vendim.
Me kërkesën e Kryeministrit, DPAK-ja kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim, në ministritë e linjës dhe çdo institucion tjetër të administratës shtetërore.
DPAK-ja bashkëpunon me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe çdo platformë tjetër të ankesave publike on-line.
Po ashtu, DPAK-ja bashkëpunon e merr informacion nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim për raste korruptive./ZËRI 
Burimi