‘Pse më lag me shampanjë’/ Nga luksi te grushtet në lokalin e natës “Sin” në Palasë, kush janë dy personat e shpallur në kërkim

‘Pse më lag me shampanjë’/ Nga luksi te grushtet në lokalin e natës “Sin” në Palasë, kush janë dy personat e shpallur në kërkim

Lokali sin ne Palase dhe momenti i sherrit

DHËRMI- Një sherr masiv ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në një prej lokaleve të natës, të hapur së fundi në zonën e Palasës, “Sin”, i cili referuar çmimeve është një prej më luksozëve në zonë. Disa të rinj, që kanë pasur një konflikt banal mes tyre, janë përplasur fizikisht në ambientet e jashtme, duke thyer çdo element sigurie, ndërkohë që një 42-vjeçar është dhunuar rëndë.

Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se personat e shpallur në kërkim janë Xhoni Spaho, 28-vjeç, banues në Tiranë si dhe Genti Baleci, 49-vjeç, banues në Durrës. Spaho rezulton që të ketë kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021, nga radhët e Partisë ‘Aleanca për Demokracinë e Re’, që drejtohet nga Edmond Stojku.
Dyshohet se konflikti mes autorëve dhe 42-vjeçarit ka ndodhur për motive banale, ndërsa mes tyre janë shkëmbyer fjalë të tipit: Pse më lag me shampanjë!

NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme për shpalljen në kërkim të shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se më datë 26.08.2024, në fshatin Palasë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin L. K., 42 vjeç, ju bëjmë me dije se:
Në vijim të hetimeve të kryera nga grupi hetimor dhe këqyrja e pamjeve filmike, një pjesë e pamjeve janë bërë publike në rrjete sociale dhe në disa media, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër shtetas që dyshohet se është përfshirë në këtë konflikt, shtetasi G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S. dhe G. B.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme. /ZËRI 
Burimi