
Protestat në Serbi/ Vuçiç telefonatë me Putin: Rusia mbështet autoritetet shtetërore
Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin
BEOGRAD- Faqja zyrtare e Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin ka publikuar një deklaratë pas një bisede telefonike me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në telefonatë, u diskutuan në detaje çështje të shumta praktike të ndërveprimit të mëtejshëm në fusha të ndryshme, kryesisht në sektorin e energjisë.
“U theksua përkushtimi i ndërsjellë për të zhvilluar më tej partneritetin strategjik midis Rusisë dhe Serbisë, themelet e të cilit janë lidhjet shpirtërore, kulturore dhe historike midis popujve të dy vendeve. Aleksandër Vuçiç konfirmoi se do të vijë në Moskë për të shënuar 80-vjetorin e Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, si dhe se do të dërgojë një njësi të Forcave të Armatosura Serbe për të marrë pjesë në Paradën e 9 majit 2025,”-shkruhet në faqen zyrtare.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Presidenti Vuçiç tha se me Presidentin Putin biseduan për atë që ai e përshkroi si “një revolucion me ngjyra”, një referencë për kryengritjet në ish shtetet sovjetike.
“E falënderova për faktin se zyrtarët rusë nuk e mbështesin revolucionin me ngjyra. Presidenti Putin kishte një qëndrim shumë të qartë për këtë, Rusia e kupton mirë se çfarë po ndodh dhe do të vazhdojë të mbështesë autoritetet legjitime në Serbi,”- tha ai.
Biseda e tij me udhëheqësin rus u zhvillua ndërsa studentët në Serbi po zhvillojnë protesta dhe kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme. Në protestat pothuajse të përditshme marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz dhe kanë tronditur kontrollin e fortë të pushtetit nga presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili i ka përshkruar protestat si një përpjekje të organizuar nga perëndimi për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Në fillim të muajit janar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj sektorit të naftës të Rusisë dhe i dhanë kompanisë Gazprom Neft 45 ditë për të lënë pronësinë e industrisë serbe të naftës. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit me 27 shkurt zgjati afatin për një muaj./ZËRI
Burimi