
Protesta për mbylljen e “Tik Tok”, Berisha: Rama mori ndëshkimin përfundimtar nga rinia

Kryedemokrati Sali Berisha
TIRANË– Kryedemokrati Sali Berisha e ka konsideruar një manifestim të jashtëzakonshëm protestën që u mbajt sot kundër mbylljes së platformës së “Tik Tok” në vend. Në fjalën e tij para mediave, Berisha tha se sot pa për herë të parë fjalime të bukura e të thella nga të rinjtë që kërkon të drejtën e fjalës së lirë.
“Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm, Edi Rama sot mori ndëshkimin përfundimtar. Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve të rinj kundër censurës për lirinë e fjalës dhe të mendimit. Ju i dëgjuat fjalët e tyre, fjalë që buronin nga shpirti i tyre i lirë, që buronin nga zemra te tyre rinore. Edi Rama sot mori ndëshkimin përfundimtar. Sot u damkos si një armik i egër jo vetëm i TikTokut, por një armik i egër i lirisë, armik i egër i të rinjve shqiptarë. U damkos përfundimisht si biri i të atit, i cili 37 vite më parë urdhëronte varjen në litar të poetit Havzi Nela. Pra, Edi Rama sot mori ndëshkimin më të madh, më të merituar. Ia thanë të gjitha të rinjtë. Kurrë nuk kam dëgjuar fjalime kaq të bukura, fjalimeve kaq kuptim të thellë, fjalime me kaq pasion sa dëgjova sot në këtë shesh. Ishte dita e tyre, ishte fjala e tyre dhe unë u mrekullova nga fjalët që mbajtën,”- tha Berisha ndër të tjera.
Protesta nisi në orën 19:00 dhe zgjati më pak se një orë. Policia e Shtetit kishte bërë gati edhe planin e masave për mbarëvajtjen e kësaj proteste, ku bllokoi të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në terren ishin rreth 1 200 efektivë.
Mbajtja e protestës erdhi pasi qeveria lajmëroi se do të mbyllë ‘Tik Tok” për 1 vit në vendin tonë.