
Prokuroria zbulon parregullsi të shumta në diskotekën “Pulse”: S’kishte fikëse zjarri, as dyer të mjaftueshme!
Pamje nga vendi i ngjarjes
SHKUP- Prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski ka thënë detajet e para nga inspektimi që kanë kryer në diskotekën “Puls” në Koçan, ku u shpreh se janë konstatuar shumë parregullsi. Kocevski tha se është zbuluar se objektit i mungon rrjeti hidrant dhe numri i pamjaftueshëm i aparateve për fikjen e zjarrit. Por jo vetëm kaq! Klubi nuk kishte as numrin e mjaftueshëm të dyerve dhe as çati rezistente ndaj zjarrit. Pra, nuk mund të përdorej si klub nate.
“Kam formuar një ekip prokurorial, i përbërë nga dy prokurorë nga Shkupi, dy nga Prokuroria Publike në Koçan dhe një nga Shtipi. U urdhërua arrestimi i çdo personi, veprimet apo mosveprimet e të cilit shkaktuan tragjedinë. U dha urdhër për sekuestrimin e dokumentacionit nga disko. Një këqyrje në vend është bërë nga prokurorët publik dhe ende nuk ka përfunduar, do të vazhdojë edhe nesër. Do të angazhoj edhe 3-5 prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit, sepse është një rast kompleks dhe do të duhet të hetohen edhe shumë gjëra të tjera,”-tha Kocevski.
Gjithashtu shtoi se prokurorët do të kërkojnë në Gjykatë masën e paraburgimit prej 48 orësh për 10 personat e përfshirë në tragjedinë e Koçanit.
“Për dhjetë persona do të rekomandojmë paraburgim prej 48 orësh, i cili nëse është e nevojshme mund të zgjatet deri në 30 ditë,”- tha Kocevski, duke shtuar se aktualisht rreth 20 persona janë nën hetim.
Çfarë ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut?
Në orën 3 të mëngjesit, një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientetet e lokalit kanë qenë rreth 1500 persona. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike./ZËRI
Burimi