
Presidentja në konferencë të jashtëzakonshme: Askush nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë!
Gordana Siljanovska-Davkova
SHKUP- Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova i është drejtuar qytetarëve për tragjedinë e ndodhur herët në mëngjes në Koçan. Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, presidentja tha se kjo tragjedi duhet që të ketë emra përgjegjësish.
“Ne jemi të gjithë në shok dhe unë jam e shokuar: si nënë, si person, si presidente. Nuk di çfarë fjalë të përdor për të shprehur ngushëllimet e mia për familjen dhe të dashurit e tyre të ndjerë. Dhimbja jote e pamasë është edhe e imja. Vizitova pacientët në mëngjes. E di dhe e ndjej që nuk jemi vetëm. Të sëmurët më rëndë do të shkojnë në klinika të specializuara në Bullgari, Serbi, Greqi dhe Turqi për të marrë ndihmë dhe trajtim mjekësor. Njerëz nga i gjithë rajoni, Europa dhe bota janë me ne. Ne nuk mund ta harrojmë këtë akt mirësie. Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre. Ju kërkoj, të udhëhequr nga humanizmi dhe empatia, të bashkoheni në dhimbje, të vetëdijshëm se vdekja dhe sëmundja na prekin të gjithëve njësoj, pavarësisht përkatësisë sonë. Nuk është koha për përçarje dhe ballafaqime, sidomos kur të rinjtë bëjnë pyetje për jetën e tyre, e cila shpesh shpenzohet për egoizëm, improvizim dhe manipulim. Le të mos përdhosim sakrificën e pafajshme të të vdekurve, le të bashkojmë forcat rreth të mbijetuarve. Askush nuk duhet t’i shmanget ligjit dhe drejtësisë, asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e një të riu,”-tha ajo.
Në orën 3 të mëngjesit, një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 59 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientetet e lokalit kanë qenë rreth 1500 persona. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike./ZËRI
Burimi