Posterat me fytyrën e presidentit serb në veri/ A ka bërë Vuçiç kërkesë për ta vizituar Kosovën?

Posterat me fytyrën e presidentit serb në veri/ A ka bërë Vuçiç kërkesë për ta vizituar Kosovën?

POSTERI

KOSOVË-Në veri të Kosovës janë shfaqur postera me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”. Posterat shihen si një thirrje për presidentin serb, e cila nuk është pritur aspak mirë nga zyrtarët në Kosovë. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi lidhur me vendosjen e posterave në veriun e Kosovës, dedikuar presidentit Vuçiç. Ai tha se nëse lideri serb futet në Kosovë, pa marrë leje nga institucionet e vendit, do të burgoset. Por në fakt një leje e tillë nuk është marrë.
Mediat kanë pyetur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka bërë kërkesë për ta vizituar Republikën e Kosovës.
“Ju informojmë që në MPJD ditët e fundit nuk ka ardhur asnjë kërkesë për vizitë të ndonjë zyrtari të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të MPJD-së për median.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi se autoritetet kanë nisur hetimet për “nxitje të urrejtjes”. Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterave, por “policia po punon në drejtim të zbardhjes së rastit”.
Shfaqja e këtyre posterëve në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin. Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter./ZËRI
Burimi