
“Po patë të varur nga droga, vritini!”/ Ish-presidenti i Filipinës arrestohet me urdhër të “Hagës”
Rodrigo Duterte
MANILA- Ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte u arrestua në Manila me urdhër të Gjykatës së Hagës. Ai është vendosur në pranga për krime kundër njerëzimit, pasi vrau njerëz të varur nga droga gjatë kohës kur ishte në pushtet.
Duterte u arrestua të martën në mëngjes pasi mbërriti me familjen e tij nga Hong Kongu në aeroportin ndërkombëtar të Manilës. Edhe pse ka një akuzë ndaj tij, Duterte tha para mediave: Cili është ligji që kam shkelur dhe cili është krimi që kam kryer? Kur të vijë koha e gjykimit, unë do t’i thërras në seancë ata që më vendosën prangat. Unë do t’u them, ‘Ti je personi që më arrestoi. Mund të më thoni arsyen? A i keni lexuar dokumentet ose të paktën çështjen përpara se të bëni arrestimin?’
Me arrestimin e tij, 79-vjeçari Duterte mund të përballet me ekstradimin në Hagë për t’u gjykuar për krime kundër njerëzimit. GJNP konsideron se politika e tij e ekzekutimeve jo vetëm që u inkurajua nga shteti, por edhe ai vetë e justifikoi atë publikisht gjatë fushatave elektorale. Ndërsa mbështetësit e tij e mbrojnë atë si një udhëheqës “të fortë dhe të vendosur”, kritikët e tij e akuzojnë atë për krijimin e një qeverie të bazuar në frikë dhe represion.
Por si ka vepruar konkretisht Duterte?
Gjatë gjithë mandatit të tij (2016-2022), Duterte bëri deklarata duke justifikuar vrasjet dhe përdorimin e forcës vdekjeprurëse kundër trafikantëve dhe përdoruesve të dyshuar të drogës. Ish-presidenti përdori retorikë agresive që sfidonte standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Më poshtë janë disa nga deklaratat e tij, të cilat kanë ngjallur reagime të ashpra, aq sa e kanë krahasuar edhe me Holokaustin.
Gjatë kandidimit të tij për president, Duterte premtoi se do të zhdukte drogën në vend me masa ekstreme. Në një tubim elektoral, ai tha: Kur të jem president, do të urdhëroj Policinë dhe ushtrinë që t’i gjejë këta njerëz dhe t’i vrasë!
Më 30 qershor tha: Nëse njihni ndonjë të varur nga droga shkoni dhe vriteni vetë. Vritni vetë se po i vranë prindërit e tyre do të ishte shumë më e dhimbshme.
Në ditën e tij të parë në detyrë, Duterte vizitoi një lagje të varfër në Manila dhe inkurajoi njerëzit që të marrin drejtësinë në duart e tyre kundër përdoruesve të drogës.
“Kjo fushatë që kam nisur do të vazhdojë deri në ditën e fundit të mandatit tim. Nuk më interesojnë të drejtat e njeriut, më besoni,”-tha ai.
6 gusht 2016- Që nga koha kur ai kishte ardhur në pushtet ishin vrarë 1000 persona. Duterte tha se nëse do të kishte tre milionë të varur nga droga në Filipine, ai do të ishte “i lumtur” t’i vriste të gjithë. Edhe gjatë mandatit të tij si kryebashkiak i Davaos, ai vrau por edhe motivoi forcat e sigurisë për të bërë të njëjtën gjë.
“Nëse kryeni korrupsion, unë do t’ju çoj me helikopter në Manila dhe do t’ju hedh që andej. E kam bërë më parë, pse të mos e bëj përsëri? Doni të më trembni duke më kërcënuar se do të më dërgoni në burg? Në Gjykatën Penale Ndërkombëtare? “Çfarë marrëzie! Nuk e kam problem të ndiqem penalisht në GJNP. Jepini! Do të ishte nder të shkoja në burg për vendin tim”
Dhe në fakt aty përfundoi!
Duterte tani përballet me një të ardhme të pasigurt pas arrestimit të tij në Manila.Gjykata e Hagës kërkon ekstradimin e tij në Hagë, por qeveria e presidentit Ferdinand Marcos Jr. ende nuk e ka konfirmuar nëse do ta dorëzojë atë para drejtësisë ndërkombëtare. Ndërkohë, reagimet brenda Filipineve janë të ndara. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupet opozitare po festojnë arrestimin e tij, ndërsa mbështetësit e tij po pretendojnë se liderit të tyre po i bëhet persekutim politik dhe kanë bërë thirrje për protesta në mbrojtje të tij.
Duterte, i cili planifikoi të kandidonte sërish për kryebashkiak të Davaos në vitin 2025, mund të përballet me një dënim të përjetshëm nëse GJNP-ja e shpall atë fajtor për krime kundër njerëzimit./ZËRI
Burimi