“Po” nga Prokuroria e Manhatanit për shtyrjen e shpalljes së dënimit, Trump i sigurt drejt nominimit presidencial
Donald Trump
Asnjë kundërshtim për shtyrjen e shpalljes së dënimit të Donald Trump nuk do të kenë prokurorët e Manhattan-it, të cilët në maj fituan dënimin e ish-presidentit amerikan për çështjen e Stormy Daniels. Shpallja e dënimit u caktua më 11 korrik. Një dokument gjyqësor tregon se prokuroria nuk do ta kundërshtojë shtyrjen. Megjithatë, fjala e fundit i takon gjyqtarit Juan Mercan.
Nëse ai bie dakord, ai ka të ngjarë të caktojë një datë të re për pas konventës republikane (15-18 korrik në Milwaukee), ku Donald Trump do të marrë zyrtarisht edhe nominimin për zgjedhjet presidenciale në nëntor. Avokatët e Trump kërkuan rrëzimin e dënimit.
Të hënën, avokatët e Trump kërkuan që dënimi i tij të anulohej për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë mbi imunitetin presidencial. Në një vendim historik 6-3, Gjykata e Lartë vendosi që Trump nuk mund të ndiqet penalisht për akte që bien në kompetencat e tij kushtetuese si president. Por ka mundësi që ai të ndiqet penalisht për krime të kryera në jetën e tij private. Vendimi siguroi që Trump nuk do të gjykohej përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit me akuzën e përpjekjes për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.
Në letrën e tyre, avokatët e Trump argumentuan se prokurorët e Manhattanit paraqitën prova në gjyq që buronin nga veprimet zyrtare të klientit të tyre gjatë kohës që ai ishte president, dhe për këtë arsye dënimi i tij është i pavlefshëm. Zyra e Prokurorit të SHBA-së Alvin Bragg u përgjigj se argumenti “nuk ka merita”, por synon t’i japë Trumpit një mundësi për ta zhvilluar plotësisht atë.
Trump është deklaruar i pafajshëm dhe thotë se do të apelojë dënimin e tij për falsifikimin e dokumenteve të kontabilitetit për të fshehur një pagesë prej 130,000 dollarësh për Stormy Daniels para zgjedhjeve të vitit 2016./ZËRI
Burimi