Petro Gjikuria kandidati i opozitës për Himarën? Vangjel Dule për ZËRI: E shpallim nesër kandidatin

Petro Gjikuria kandidati i opozitës për Himarën? Vangjel Dule për ZËRI: E shpallim nesër kandidatin

Petro Gjikuria dhe Vangjel Tavo

HIMARË- Petro Gjikuria raportohet se do të jetë kandidati nga radhët e opozitës, i cili do të garojë përballë Vangjel Tavos për të drejtuar bashkinë e Himarës. Në disa media raportohet se djatë ditës së djeshme, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, me të cilin ka dakordësuar edhe emrin e Gjikurias për garën për Himarën. Gjikuria jeton në SHBA dhe njihet si mbështetës i çështjes së Fredi Belerit, por edhe pjesë e organizatës amerikane Pan-Epirote dhe si mbrojtës i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
ZËRI kontaktoi vetë me kreun e Partisë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, Vangjel Dule, por ky i fundit zgjodhi që të mos jepte detaje duke “premtuar” një konferencë për shtyp gjatë ditës së nesërme. 
“Nesër përfundon procesi i përzgjedhjes dhe do të ketë njoftim për mediat,”-tha Dule në prononcimin e bërë për ZËRI.
Megjithatë nëse vendoset që garuesi përballë Tavos do të jetë Gjikuria, nuk dihet nëse opozita do të zhvillojë procesin e Primareve, i cili është zhvilluar në të gjitha bashkitë në degët e Partisë Demokratike. Për më tepër që në Himarë përflitet edhe emri i djalit të Fredi Belerit, Petro. Zgjedhjet në Himarë do të mbahen më 4 gusht, pasi disa ditë më parë KQZ vendosi të shpallte të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit, i dënuar me 2 vite burg për blerje votash një vit më parë. Kështu pas shpalljes së vakancës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, presidenti Bajram Begaj firmosi dekretin dhe vendosi që zgjedhjet e pjesshme lokale të mbahen në Himarë më 4 gusht./ZËRI
Burimi