Përshtati lokalin për organizimin e lojërave të fatit, pranga pronarit dhe 2 të tjerë (EMRAT)
FOTO ILUSTRUESE
LUSHNJË-Policia në Lushnjë ka vënë në pranga ditën e sotme 2 persona dhe pronarin e një lokali, pasi kishte përshtatur lokalin për organizimin e lojrave të fatit. Bëhet fjalë për pronarin Erion Malaj, 36 vjeç dhe 2 persona të tjerë Arjol Mehilli, 36- vjeç dhe Denis Vishkulli, 34 -vjeç, të cilët u kapën në flagrancë duke luajtur lojëra fati me celularë. Gjatë kontrolleve policia ka sekuestruar 3 celularë dhe 15 televizorë që përdoreshin për organizimin e kësaj veprimtarie.
Njoftimi i policisë:
Kishte përshtatur lokalin për zhvillimin e lojrave të fatit, vihet në pranga pronari i lokalit dhe 2 shtetas të cilët u kapën në flagrancë duke organizuar lojra fati me celularë. Sekuestrohen 3 celularë dhe 15 televizorë që përdoreshin për organizimin e kësaj veprimtarie.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i Ligjit”, me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë, një lokal ku organizoheshin lojëra fati.
Për këtë rast u arrestua shtetasi E. M., 36 vjeç, banues në Lushnjë pasi në lokalin e tij u konstatuan 15 televizorë të cilët shërbenin për aktivitetin e jashtëligjshëm të lojrave të fatit. Gjithashtu u arrestuan shtetasit A. M., 36 vjeç, banues në Lushnjë, D. V., 34 vjeç, banues në fshatin Kosovë e Madhe, Lushnjë, pasi u konstatuan në lokalin e shtetasit E. M., duke organizuar lojra fati nëpërmjet celularit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI
Burimi