‘Përralla e trishtë’ e hidraulikut dhe punëtorit të ndërtimit, u kapën në shtëpinë e barit
Dy shqiptaret e denuar ne Britani
BRITANI E MADHE- Një përrallë të trishtë, kështu e kanë quajtur mediat britanike historinë e dy shqiptarëve që u kapën në një fermë kanabisi. Ata u dënuan me nga dy vite e katër muaj burg nga Gjykata e Kurorës së Northampton në Britani të Madhe.
Shqiptarët, njëri hidraulik dhe tjetri një punëtor ndërtimi, shkuan ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe u kujdesën për një fermë të madhe droge për të shlyer borxhet e trafikantëve.
Fabrizio Zika dhe Elmaz Idrizi u kapën kur policia bastisi shtëpinë në Headlands dhe gjeti kanabis me vlerë deri në 415,000 paund.
Shtetasit shqiptarë kishin para borxh ndaj bandave që i kishin futur kontrabandë në Britaninë e Madhe dhe u thanë se do të pastronin borxhet e tyre duke u kujdesur për fermat e kanabisit.
Zika, 27 vjeç dhe Idrizi, 38 vjeç, u gjetën në tavanin në pjesën e pasme të shtëpisë së madhe, gjysmë të shkëputur kur policia e bastisi atë pak para orës 9 të mëngjesit të 23 majit.
Gjatë kontrollit në tetë dhoma në pronën trekatëshe, ku jetonin dyshja, u gjet 488 bimë kanabisi, si dhe kabllo elektrike, llamba ngrohjeje dhe çarçafë.
Burimi