Përplasja me armë zjarri në Bushat, kush janë vëllezërit Prendi të shpallur në kërkim, i përfshirë dhe kushëriri i tyre
Audi i blinduar
VAU I DEJËS- Detaje të reja janë zbardhur nga atentati në Bushat mbrëmjen e 23 gushtit, ku shënjestër ishte një mjet “Audi” i blinduar. Andrea e Aleksandër Prendi, janë dy vëllezërit e shpallur në kërkim. Mësohet se i përfshirë në ngjarje ka qenë dhe një kushëri i vëllezërve. Referuar njoftimit të Policisë vëllezërit Prendi i kanë bërë pritë dy shtetasve që udhëtonin me mjetin ‘Audi’, me të cilët dyshohet se kanë pasur një konflikt të mëparshëm.
Personat e ndodhur në automjetin tip ‘Audi’ dyshohet se janë larguar me një makinë tjetër, ndërsa identiteti i tyre ende nuk dihet. Në mjetin e blinduar ishte dhe një personazh i botës së krimit i shpallur në kërkim. Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të përdorura nga disa armë të ndryshme, duke krijuar përshtypjen e fortë se në vendin e ngjarjes ka pasur shkëmbim zjarri.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit në Vaun e Dejës?
Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme një përplasje me armë ndodhi në zonën e Vaut të Dejës, ku shënjestër ishte një mjet “Audi” i blinduar. Personat që ishin në makinë, e braktisën mjetin, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 30 gëzhoja, të nxjerra nga armë të ndryshme, që për hetuesit dha menjëherë pistën se mes dy grupeve kishte pasur shkëmbim zjarri. Po ashtu në mjetin audi, u gjetën gjurmë plumbash, njësoj si dhe një një mjet BMW, i cili u lokalizua po ashtu i braktisur nga policia. Të dyja palët që ndodheshin në mjete të ndryshme kishin mundur që të arratiseshin nga vendngjarja, ndërsa zyrtarisht nuk dihet nëse ka persona të lënduar si pasojë e breshërisë së armëve./ZËRI
Burimi