Pavarësisht hetimeve në Francë, themeluesi i Telegram kthehet në Dubai

Pavarësisht hetimeve në Francë, themeluesi i Telegram kthehet në Dubai

Pavel Durov

DUBAI- Pavel Durov, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Telegram, është kthyer në Dubai pasi autoritetet franceze e lejuan të largohej nga vendi. Ai u arrestua në gusht të vitit 2024, sapo avioni i tij zbarkoi në aeroportin e Le Bourget në Francë. Më pas ndaj tij nisën hetimet për aktivitetet kriminale në aplikacionin e mesazheve dhe iu ndalua dalja nga vendi.
Durov tha në një mesazh në Telegram se ai ishte kthyer në Dubai pasi kaloi disa muaj në Francë “për shkak të një hetimi në lidhje me aktivitetin e kriminelëve në Telegram”.
“Procesi është në vazhdim e sipër, por ndihem mirë në shtëpi. Dua të falënderoj gjyqtarët që e lejuan këtë të ndodhë, si dhe avokatët dhe ekipin tim për përpjekjet e tyre të pandërprera për të demonstruar se, kur bëhet fjalë për moderimin, bashkëpunimin dhe luftimin e krimit, Telegram për vite me radhë jo vetëm që ka përmbushur, por edhe tejkaluar detyrimet e tij ligjore”, shkroi Durov. Sipas Agence France-Presse sugjerojnë se një gjykatës kishte ndryshuar kushtet e lirimit me kusht dhe e lejoi atë të largohej nga Franca për “disa javë”.

Sapo u lirua, ai fluturoi për në Dubai të shtunën në mëngjes nga aeroporti ku ishte arrestuar. Avokatët e tij janë kontaktuar nga mediat franceze, por nuk kanë bërë asnjë koment. Gjatë kohës që ai qëndroi në Francë paraqitej dy herë në javë në një Komisariat dhe pagoi 5 milion euro garanci. Kushtet iu lehtësuan më datë 15 mars dhe leja e tij është e vlefshme deri më 7 prill.
Arrestimi i tij, simbolizon herën e parë që një drejtues i një kompanie të madhe të mediave sociale të ndalohet për përmbajtjet në platformën e tyre. Me më shumë se 900 milionë përdorues aktivë, Telegram është një nga aplikacionet më të mira të mesazheve në botë. Durov, i cili lançoi aplikacionin në vitin 2013, ka një pasuri prej më shumë se 12 miliardë dollarë, sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg.
Pas disa ditësh marrje në pyetje pas arrestimit të tij, ai u akuzua për dështimin për të ndaluar imazhet e abuzimit seksual të fëmijëve dhe materiale të tjera ekstreme dhe u lirua me kusht.
Durov është një liritar i vetëshpallur që ka mbrojtur mesazhet e koduara. Telegrami i lejon përdoruesit të postojnë video, foto dhe komente në “kanale”. Telegram gjithashtu mbështet “grupe”, ose komunitete me deri në 200,000 anëtarë secila.
Duke folur me gazetarin amerikan Tucker Carlson vitin e kaluar, Durov tha: “Njerëzit e duan pavarësinë. Ata gjithashtu e duan privatësinë, lirinë, ka shumë arsye pse dikush do të përdorte Telegram.”
Miliarderi ka pasaporta ruse, franceze dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe. Presidenti rus, Vladimir Putin, u habit për arrestimin e tij vitin e kaluar, duke i quajtur veprimet e Francës “selektive”.
Telegram gjithashtu ka shënuar përpjekjet për të pastruar platformën që nga arrestimi i Durov. Sipas faqes së moderimit të aplikacionit, ai ka bllokuar më shumë se 6.1 milionë grupe dhe kanale në vitin 2025, duke përfshirë 160,000 të lidhura me materialet e abuzimit seksual të fëmijëve. Telegram gjithashtu pretendon se ka bllokuar 57,000 “komunitete të lidhura me terrorizmin” këtë vit.
Durov ka marrë mbështetje edhe nga Elon Musk, i cili postoi komente në rrjetin e tij social X nën hashtagun FreePavel. Kremlini ka paralajmëruar Francën që të mos e kthejë çështjen kundër Durovit “në persekutim politik”.
Kreu i Telegram fillimisht kritikoi arrestimin e tij dhe marrjen në pyetje e tij. Ai fajësoi autoritetet franceze se nuk kanë lajmëruan platformën për aktivitete të dyshuara kriminale. Por tha gjithashtu se “në kohën kur isha në paraburgim kuptova seriozitetin e të gjitha akuzave”. Hetuesit e kanë përballur atë me më shumë se një duzinë rastesh specifike, duke filluar nga abuzimi me fëmijët deri te tregtia e drogës, mashtrimet, shitjet e armëve dhe punësimi i vrasësve./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente