PAMJET me dron/ Marklen Haka tentoi të ikë me vrap nëpër ara, policia e ndjek këmba-këmbës
arrestimi i Marklen Hakës
NIKËL-Policia e Tiranës ka publikuar një moment tjetër nga aksioni në Nikël, ku u arrestua Marklen Haka. Në pamjet më poshtë Haka ka tentuar t’i ikë Policisë, duke vrapuar nëpër ara, por nuk ka shkuar shumë larg.
Marklen Haka alias Marklen Aliu ndodhej në një banesë në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë. Ai ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë, të cilët janë shoqëruar në Polici. Në banesë u gjet dhe u sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Liqeni i Bacungut”. Falë inteligjencës policore, shërbimet e DVP Tiranë në bashkëpunim me Repartin Special RENEA, organizuan operacionin për kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu.
Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie, dhe ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot rreth orës 14:00. Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu.
Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë. Në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi me vendimin 49/31 datë 15.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë në dëm të shtetasit D. B., kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 78/2, 22, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit penal, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit D. B., kryerja në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a e 334 të Kodit penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal./ZËRI
Burimi