Paga minimale në Kosovë rritet në 350 euro

Paga minimale në Kosovë rritet në 350 euro

Paga ne Kosove

KOSOVË- Qeveria e Kosovës ka vendosur për rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto. Niveli i ri i pagës minimale do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin që niveli i ri i pagës minimale të jetë 2 euro për orë për punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë.
Kryeministri Albin Kurti tha se paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi, derisa shtoi se kjo është rritja e dytë brenda këtij mandati qeverisës.
Sipas Kurtit, nga kjo rritje preken mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht të sektorit publik.
“Me hyjen në fuqi të Ligjit për Pagën Minimale, më në fund u hap rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas një pritje prej 13 vjetësh. Ndërkaq sot do të shqyrtojmë propozimin e Ministrisë së Punës, Financave dhe Transfereve që niveli i ri i pagës minimale të jetë 2 euro për orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë më orar të plotë. Paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi. Kjo është rritja e dytë e pagës minimale brenda këtij mandati qeverisës”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati bëri me dije se kjo pagë do të hyjë në fuqi nga 1 tetori.
“Do të hyjë në fuqi nga data 1 tetor që t’u japim kohë organizatave dhe bizneseve t’i bëjnë përshtatjet e nevojshme”, tha Murati.
Kjo rritje vjen vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat.
Paga e re minimale do t’i prekë rreth 150.000 të punësuar të cilët punojnë me paga më të ulëta se 350 euro, kryesisht në sektorin privat.
Vendimi i ri për pagën minimale i jep fund edhe diskriminimit të punëtorëve në bazë të moshës.
Deri në fuqizim të Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
Deri më tani, Kosova e ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, 170 euro, ndërsa Luksemburgu më të lartën, 2.571 euro./monitor 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente