
Operacion masiv në Itali, shpërndanin drogë me ‘delivery’, koka e grupit një shqiptar

Foto nga operacioni
ITALI– Një shqiptar, 12 italianë dhe një tjetër ngaEkuadori janë vënë në pranga pasi akuzohen për shitje të lëndëve narkotike. Mediat italiane shkruajnë se autoritetet po hetonin prej dy vitesh grupin që drejtohej nga shqiptari.
Tregtimi i drogës ishte kamufluar si një biznes delivery me ushqime, pas të cilës ishte vetë emri i shqiptarit. Ai mësohet se është 28 vjeç, por emri i tij nuk është bërë ende me dije. Gjatë operacionit janë sekuestruar 35 kilogramë drogë, pajisje për përgatitjen dhe ndarjen e drogës si dhe 120 mijë euro cash.
Hetimi për këtë grup nisi pas dy arrestimeve të kryera në shkurt dhe maj të vitit 2023 nga Karabinierët e Busto Arsizio ndaj 2 italianëve, të cilëve iu sekuestruan 5 kilogramë hashash dhe marihuanë. Hetimi i mëpasshëm, i koordinuar nga prokurori i Busto, Ciro Vittorio Caramore, konstatoi se të dy të arrestuarit vepronin brenda të njëjtit grup kriminal. Deri në vitin 2024, u bënë arrestime të tjera, mes të cilëve edhe 3 italianë që kishin fshehur 4 kilogramë hashash, disa brenda pakove që dukeshin si pako ushqimesh, një truk jo i ri. Më pas erdhi dhe arrestimi i personave të tjerë njëri pas tjetrit.