Olsi Rama në SPAK, pranon njohjen me një prej personave të dosjes “Xibraka”: I mora dy ditë makinën për pushime

Olsi Rama në SPAK, pranon njohjen me një prej personave të dosjes “Xibraka”: I mora dy ditë makinën për pushime

Olsi Rama ne deren e SPAK

TIRANË- Vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorinë së Posaçme. Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se Olsi Rama ka shkuar në SPAK për çështjen Xibraka, pas padisë nga Gazment Bardhi.
Vëllai i kryeministrit qëndroi pak minuta në ambientet e Prokurorisë, dhe mori prej aty vendimin e SPAK, për padinë që bëri kundrejt Gazment Bardhit.
“Nuk e di çfarë ka vendosur prokuroria, do ta hap dhe do ta shoh. E kam bërë kallëzimin, nuk kam asnjë çerek lidhje me personat e përfshirë në Xibrakë. Unë i kam marrë mjetin njërit prej personave, dhe kam shkuar dy ditë për pushim, person që e njoh komplet rastësisht, dhe përsonat e tjerë nuk i njoh. Do e hap vendimin dhe do ta shoh, mos u bëni merak. Do të vij në SPAK kurdo që të jetë nevoja”, u shpreh Olsi Rama.
SPAK vendosi që të rihapë hetimet për dosjen Xibraka, pas denoncimit të Bardhit, se një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale.
Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.
Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014.
Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar nuk është mbyllur ende përfundimisht./ZËRI
Burimi