Olsi Rama në SPAK, Bardhi: T’i shkohet deri në fund të vërtetës

Olsi Rama në SPAK, Bardhi: T’i shkohet deri në fund të vërtetës

Gazment Bardhi

TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me paraqitjen e Olsi Ramës në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në postimin e tij në rrjetet e tij sociale, Bardhi kishte një mesazh për SPAK. Ndër rreshta, Bardhi shkruan se inkurajon SPAK që të zbulojë të vërtetën për të provuar se në Shqipëri nuk ka “të paprekshëm”.
REAGIMI I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Të sillesh si budalla përpara derës së SPAK-u është një strategji e gabuar që nuk të shpëton nga e vërteta! Të thuash që ke përdorur makinën e trafikantëve të drogës, por trafikantët nuk i njeh, është një gënjeshtër banale. Olsi Rama konfirmoi përpara derës së SPAK gjithçka kam denoncuar për të. Deklarimet e tij publike janë e vërteta më e madhe e kësaj çështjeje: “Një herë deklaroi se njeh njërin nga trafikantët, sot tha nuk njoh asnjërin. Një herë s’kam udhëtuar me narkomakinën, sot tha kam udhëtuar vetëm një herë”. Por, sot vëllai i vogël i Edi Ramës gënjeu sërish publikisht kur tha se e ka përdorur vetëm njëherë narkomakinën AA 653 DM. Të dhënat zyrtare të sistemit TIMS dokumentojnë të kundërtën, se ai ka përdorur të paktën 7 herë narkoautomjetin AA 653 DM për daljet e tij jashtë vendit gjatë periudhës kur ndërtohej laboratori i drogës në Xibrakë. Gënjeshtra e ditës dhe alibitë nuk janë as mjet mbrojtës dhe as zgjidhje. E vërteta ndodhet në procedimin penal 335/1-2016 që u tentua të varrosej nga prokuroria, por që sot mban numrin 88-2024! Inkurajoj SPAK t’i shkojë me guxim deri në fund të vërtetës, duke na provuar se në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm!
SPAK vendosi që të rihapë hetimet për dosjen Xibraka, pas denoncimit të Bardhit, se një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale. Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër. Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.
Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014. Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar nuk është mbyllur ende përfundimisht./ZËRI
Burimi