
Nuk i dhanë ndihmë mjekësore të moshuarës në azil, nisin hetimet për administatoren dhe mjekun

Foto ilustruese
TIRANË– Policia e Shtetit ka nisur një hetim në gjendje të lirë për dy persona, administratoren dhe mjekun e një azili të moshuarish në Tiranë. Kjo për shkak se vajza e një prej të moshuarve që ishte vendosur në këtë institucion, i cili ende është i paidentifikuar me emër, ka bërë kallëzim penal. Sipas denoncimit, vajza pretendon se nënës së saj nuk i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore pas dëmtimit që ka marrë në këmbë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. M., 56 vjeçe dhe K. M., 33 vjeç, përkatësisht administratore dhe mjek në një qendër për të moshuarit, pasi ka kallëzuar vajza e një prej banoreve të kësaj qendre, se këta shtetas nuk i kanë dhënë ndihmën e nevojshme nënës së saj, për një dëmtim aksidental, në këmbë,”-bën me dije Policia./ZËRI