Nis sot viti shkollor, 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në banka, Rama dhe Manastirliu: Kemi shpërndarë librat falas

Nis sot viti shkollor, 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në banka, Rama dhe Manastirliu: Kemi shpërndarë librat falas

foto ilustruese

TIRANË- Ka nisur sot në të gjithë vendin viti i ri shkollor, ku rreth 28 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bankët e shkollës. Në total në vendin tonë në sistemin arsimor parauniversitar marrin mësimin rreth 350 mijë nxënës, një numër që është ulur me rreth 100 mijë në 10 vitet e fundit, për shkak të largimeve masive jashtë vendit, por edhe për shkak të uljes së lindshmërisë. Gjatë ditës së sotme, janë marrë masat në terren për të shmangur incidentet, ndërkohë që punonjës të policisë së rendit dhe asaj rrugore janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e ditës së parë të shkollës.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit Edi Rama, ka uruar nisjen e vitit të ri shkollor, ndërsa ka vendosur theksin te shpërndarja e librave falas.
“MIRËMËNGJES dhe me urimin për të gjithë nxënësit, veçanërisht për ata të klasave të para që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, mësuesit dhe prindërit, për një vit të mbarë shkollor, ju uroj një javë të bukur”, shkruan Rama.

Nga ana tjetër, edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliuka uruar nxënësit për vitin shkollor, ndërsa tha se për këtë sezon kanë hapur dyert 10 shkolla të reja, të cilat do të mirëpresin 10 mijë nxënës.  Sipas saj ky vit ka sjellë risi dhe investime të rëndësishme, ndër to fakti se 31 mijë mësues e nisin vitin shkollor me paga të rritura. Prej 9 Shtatorit për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës, ndërkohë që më shumë se 238 mijë nxënës sipas saj i kanë përfituar librat falas.
240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se në 2023. Dhjetë ditë më parë u bë publik edhe urdhri për përcaktimin e kritereve për miratimin e “mësuesit koordinator për sigurimin e cilësisë” dhe të “mësuesit koordinator të këshillimit të karrierës” në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar.
Mesazhi i plotë i Manastirliut Të dashur nxënës, prindër dhe mësues! Sot fillojmë këtë rrugëtim të vitit të ri shkollor së bashku, edhe unë jam po aq e emocionuar sa ju, sepse çdo vit sjell sfida dhe mundësi të reja për të gjithë. 350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa rreth 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës.
Të dashur nxënës të klasës së parë, shkolla është vendi ku ju do të mësoni, do të zbuloni botën, dhe më e rëndësishmja, të ndërtoni të ardhmen tuaj. Kemi punuar fort që këtë vit të keni mundësinë të mësoni në shkolla edhe më moderne, që mësuesit të jenë edhe më të motivuar, që shkollat të jenë më të pajisura me materialet didaktike të nevojshme, të cilat do t’ju ndihmojnë të zhvilloni intelektin dhe personalitetin tuaj që nga fillimi i shkollimit dhe gjatë gjithë edukimit tuaj.
Mundësuam tekstet shkollore falas për 238 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe për 16 kategori të veçanta të nxënësve në gjimnaze. Investimet në infrastrukturën shkollore kanë mundësuar që sot të hapin dyert 25 shkolla të rindërtuara, të cilat mirëpresin rreth 10 mijë nxënës dhe mësues. Vetëm përgjatë këtij viti kemi investuar dhe po investojmë në rindërtimin dhe rehabilitimin e 100 objekteve arsimore në të gjithë vendin.
Në një epokë ku teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si mësojmë dhe punojmë, kemi hyrë në një fazë shumë të rëndësishme për të përmirësuar aftësitë digjitale, aftësitë kreative dhe nxitjen e mendimit kritik.
Këtë vit, 200 shkolla 9-vjeçare janë pajisur me 216 laboratorë SMART, duke u dhënë nxënësve mundësinë të mësojnë përmes kurrikulës së re të TIK dhe programit Code Monkey, ku rreth 35 mijë nxënës janë tashmë të përfshirë në këto klasa. Rrugëtimi juaj drejt dijes nuk është vetëm i juaji, por edhe i prindërve dhe mësuesve tuaj që do të jenë aty për t’ju mbështetur në çdo hap.
Ky vit i ri shkollor i gjen mësuesit me pagat e rritura, duke mundesuar qe mbi 30 mije mesues te sistemit tone arsimor te kene page dinjitoze. Vlerësimi dhe mbështetja për mësuesit janë thelbësore për një sistem që fokusohet te cilësia, ndaj, veç mbështetjes financiare, do të vijojmë të zhvillojmë programet e trajnimeve falas për të rritur kompetencat profesionale të tyre, me synim që mbi 16 mijë mësues të trajnohen përmes Programit Kombëtar i Zhvillimit Profesional.
Këtë vit do të kemi zhvillime të reja brenda shkollës, përmes roleve të reja të mësuesve: 640 mësues do të angazhohen gjithashtu si koordinatorë të sigurimit të cilësisë për mësimdhënien dhe orientimin e karrierës, bazuar në evidentimin e prirjeve dhe talenteve në çdo shkollë, duke ju ndihmuar ju dhe prindërit në zgjedhjet që do të bëni për të ardhmen tuaj.
Një prioritet i yni është edukimi gjithëpërfshirës dhe i barabartë për të gjithë fëmijët. Këtë vit kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës me 200, duke e çuar në 2100 numrin total të mësuesve ndihmës, të cilët garantojnë mbështetje mësimore për nxënësit me aftësi të veçanta.
Krijimi i mundësive për një stil jetese të shëndetshëm dhe aktiv për nxënësit është po aq i rëndësishëm për ne. Për këtë arsye, në vitin e ri shkollor po investojmë në terrene sportive dhe palestra moderne në shkolla, si pjesë e “Lëvizjes Sportive në shkolla”; programi ynë kombëtar tashmë ka përfshirë mbi 10 mijë nxënës, me synimin për të zgjeruar më tej këtë program duke shtuar disiplina të reja sportive dhe duke e shtrirë në të gjitha ciklet arsimore. Programet e nisura, si “Art dhe Zeje”, “Shkolla Qendër Komunitare”, Olimpiadat, Konkurset dhe një sërë programesh të reja do të shoqërojnë këtë vit shkollor, duke ju mundësuar një program sa më të pasur shkollor dhe jashtëshkollor.
Ju uroj suksese në këtë rrugëtim të bukur që sapo ka nisur! Na qoftë i mbarë!
Sipas strukturës së publikuar nga Ministria e Arsimit për arsimin bazë, viti shkollor nis në datën 9 shtator të vitit 2024, për të përfunduar më 13 qershor të vitit të ardhshëm.
Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të kenë dy periudha pushimesh. Periudha e parë e pushimeve do të jetë në fundvit, ndërsa përudha e dytë do të jetë në javën e parë të muajit prill./ZËRI 
Burimi