Ngriti dronin në burgun e Burrelit, identifikohet dhe vihet në pranga 36-vjeçari

Ngriti dronin në burgun e Burrelit, identifikohet dhe vihet në pranga 36-vjeçari

DRONI NE BURGUN E BURRELIT

BURREL- Policia ka identifikuar dhe ka shoqëruar për një komisariat një 36-vjeçar, i cili dyshohet se është personi që futi dronin në perimetrin e burgut të Burrelit. Në pranga është vënë shtetasi Taulant Ahmetsulaj. Burime nga drejtoria e burgjeve bëjnë me dije se ngritja e dronit është bërë për llogari të një grupi kriminal, që dyshohet se donte pamje nga zona e ajrimit, por nuk përjashtohet mundësia që mjeti fluturues të përdorej për futjen e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia identifikon, kap dhe shoqëron në Komisariat, autorin e dyshuar të ngritjes së një mjeti inteligjent (dron), mbi ambientet e IEVP Burrel.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, menjëherë pas marrjes së njoftimit se mbi ambientet e IEVP Burrel, ishte konstatuar një mjet inteligjent dron, i cili u neutralizua nga punonjësit e sigurisë së burgut, kanë nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e kësaj ngjarjeje.
Si rezultat i hetimeve të kryera në bazë të inteligjencës policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Mat, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje,  shtetasi T. A., 36 vjeç, banues në Burrel.
Në bashkëpunim të ngushtë më Prokurorinë dhe IEVP Burrel, po vijojnë hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Drejtoria e Burgjeve bëri me dije se droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet tregojnë një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme. 
Pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Nuk dihet nëse pamjet do të përdoreshin për të organizuar ndonjë atentat, arratisje të mundshme, apo për të futur sende të pajueshme. /ZËRI
Burimi