Nga ‘burgosja politike’ e Berishës, tek korrupsioni dhe ‘vijat e kuqe’, opozita ‘kryqëzon’ Dumanin në Kuvend! Balla i del në mbrojtje

Nga ‘burgosja politike’ e Berishës, tek korrupsioni dhe ‘vijat e kuqe’, opozita ‘kryqëzon’ Dumanin në Kuvend! Balla i del në mbrojtje

Altin Dumani dhe deputetët e opozitës

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka raportuar këtë të hënë në Kuvendin e Shqipërisë ku është vënë në “shënjestrën” e opozitës, e cila e pyeti për çështje të nxehta politike, por dhe për arrestimin e kryedemokratit, Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij, kreu i SPAK theksoi se institucioni që ai drejton është i pavarur dhe nuk ndikohet nga politika, por as nga krimi i organizuar.
Çështja Berisha
Arrestimi i Sali Berishës për dosjen “Partizani” ka ndezur sërish “gjakrat” në Kuvendin e Shqipërisë, këtë herë deputetët demokratë lëshuan akuza ndaj Dumanit, për burgosje politike të Berishës. Ishte demokrati, Tritan Shehu ai që pretendon se me arrestimin e liderit të opozitës është shkelur Kushtetuta e vendit, ndërsa hodhi hije dyshimi se kush fshihet pas urdhrit për arrestimin e Berishës. Akuzat e Shehut, Dumani i hodhi poshtë.
Tritan Shehu: Përse Berisha mbahet i izoluar? Përse po shkelet Kushtetuta, a nuk mendoni se cenoni cilësinë e Kuvendit? Kur një prokuror shkel ligjet del se me urdhër kujt bëhet? Me urdhër të kujt u bë? Të kryeministrit, të dikujt tjetër? Kush fshihet pas kësaj loje? Po shkelni parimet me të katër këmbët, a nuk gjykoni se bëheni pjesë e politikës, duke e kthyer Berishën në një të burgosur politik?
Altin Dumani: Lidhur me rastin e parë edhe kjo çështje është në fazën e hetimit paraprak. Ju pretendohet dhe parashkruar në këtë seancë se nuk ka shkaqe apo kushte për caktim mase sigurimi. Referojuni vendimit të gjykatës. Ju thoni se nuk ka akuzë por, vendimi i gjykatës e ka bërë të qartë veprën penale.  Lëshuat akuza të rënda në drejtimin tim.
Dosja “5D”
Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti u ndal tek dosja “5D”, e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme dhe që ka çuar në pranga ish-drejtorë të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës. Sipas Hotit, SPAK nuk ka kryer asjë veprim hetimor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj apo Kryeministrit, Edi Rama në lidhje me çështjen në fjalë. Në përgjigje, Dumani ishte i prerë, teksa iu drejtua deputetes duke i kërkuar të ketë respekt për punën e SPAK dhe të mos hedhë akuza dhe fyerje që rëndojnë mbi prokurorët, të cilët janë të angazhuar në zbardhjen e kësaj çështjeje.
Elda Hoti: Zoti Dumani për ta përmbyllur, përse SPAK nuk kryen asnjë veprim hetimor për Titullarin e Bashkisë Tiranë, i cili ka ideuar, firmosur vjedhjen 5D? Jemi korrekt të themi që ju skeni leje nga Edi Rama për të prekur kolegun tuaj Erion Velia? A mendon SPAK se, si Kryeministri Rama, që nuk ka aftësinë për të kontrolluar, babëzinë dhe oreksin e hajdutëve që kishte e ka në staf, edhe Erion Veliaj ka të njëjtën të metë, mungesë aftësie për të kontrolluar hajdutët? Pra e thënë me pak fjale SPAK konkludon në hetimet e saja se, si Edi Rama ashtu dhe Erion Veliaj janë viktima të njerzve që i rrethojnë?
Altin Dumani: Jam drejtues i prokurorisë së posaçme dhe drejtoj një institucion të pavarur që meriton respekt për punën që bën. Kritikat janë të mirëpritura por që të hedhësh akuza dhe të fyesh prokurorë të cilët janë angazhuar me mish e me shpirt në hetimin e çështjeve kjo është e papranueshme.
Koncensionet në Shëndetësi
Deputetja e Partisë Demoklratike, Albana Vokshi, e cila drejton dhe Komisonin Hetimor për koncensionin e “Sterilizimit” dhe “Check up”, u ndal tek koncensionet në sektorin e shëndetësisë dhe deri në çfarë faze janë hetimet që po kryehen nga SPAK. Vokshi pyeti Dumanin se kush i ka penguar punimet dhe se cili është statusi i katër koncensioneve që janë në hetim. Këtu kreu i SPAK u tregua i rezervuar ndërsa e ftoi Vokshin që për informacione të detajuara ti drejtohet institucionit.
Albana Vokshi: Cili është statusi i hetimit për katër koncesionet në Shëndetësi?
Altin Dumani: Një dihet që është për gjykim, një tjetër është në hetim. Për informacionet drejtohu institucionit.
Albana Vokshi: Se këta persona që i konsideroni të përfshirë në veprimtaritë kriminale vazhdojnë ende? Kush i ka penguar hetimet? Kush i mbron drejtuesit e inkriminuar?
Altin Dumani: Bashkëpunimi është shumë i mirë, problematika që ne kemi evidentuar e kam adresuar publikisht pjesë të raportit, edhe në Komisionin e Ligjeve. Është problematikë që duhet adresuar dhe po marrim masa për ta zgjidhur. Solla një shifër të punonjësve që janë proceduar në 3 vite, është një numër i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen me policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.
Encrochat dhe qeveria…
Vokshi u ndal po ashtu dhe tek hetimet që po kryen Prokuroria e Posaçme në lidhje me bisedat e zhvilluara në Encrochat. Deputetja demokrate pyeti Dumanin nëse ka ministra të përfshirë në përgjime. Dhe këtu, Dumani u tregua i rezervuar dhe nuk u prononcua, duke lënë të kuptohet se çështja është nën hetim.
Albana Vokshi: A keni konstatuar në dosjet e partnerëve, se në bisedat e Encrochat përfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë.
Altin Dumani: Është çështje në hetim dhe nuk mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar.
Arben Ahmetaj…
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi gjatë fjalës së tij u ndal tek arrestimi i kryedemokratit, Sali Berisha. Sipas tij, SPAK nuk ka ndjekur të njëjtën procedurë në rastin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj. Po ashtu u ndal tek inceneratori i Tiranës dhe fletëarrestet e lëshuara. Sërish Dumani nuk foli, duke thënë se të dyja janë çështje në hetim paraprak.
Saimir Korreshi: Nga SPAK është mbajtur dy standarde. Për zotin Ahmetaj janë dërguar një dokumentacion në Këshillin e Mandateve dhe më pas është hequr imuniteti. Gjatë seancës me dyer të mbyllura kemi kërkuar të merrej masa, pasi zoti Ahmetaj po çante ferrën. Për Berishën nuk u mbajt ky standard. Si ka mundësi në rastin e fundit të urdhërndalimeve për inceneratorët, asnjë nuk është arrestuar por kanë çarë ferrat, janë larguar nga Shqipëria?
Altin Dumani: Të dyja janë çështje në hetim paraprak, dhe nuk flas dot. Dhe për çështjen e tyre, është hetim paraprak. Është hetim kompleks dhe përfshin disa struktura. Nuk mund të ndaj asgjë më tepër.  Kur të kemi një konkluzion të saktë, do të dalim për një njoftim për mediat.
Kartelet e drogës
Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti gjatë fjalës së tij u ndal tek krimi i organizuar dhe trafiku i kokainës. Alizoti iu drejtua Dumanit nëse ka një nismë ose një hetim në lidhje me krimin e organizuar i cili është drejtuar drejt Sinaloas, Meksikës dhe po vjen në Shqipëri, e që sipas Korreshit ka të përfshirë dhe ministra dhe deputetë. Në lidhje me këtë Dumani nuk dha detaje specifike, por tha se SPAK ka lidhur kontakte me agjencitë partnere në vendet e Amerikës Latine për bashkëpunime. I pyetur nëse beson se i vetëm mund të bëjë drejtësi, Dumani tha se SPAK nuk mund të japë rezultatet e duhura pa patur dhe bashkëpunimin e institucioneve të tjera.
Tomor Alizoti: Duket që dhe sot interesi për drejtësinë është i madh. E dëgjoj shumë shpesh shprehjen nga ju, ne nuk jemi të lidhur me politikën, unë mendoj se qënie njerëzore është qënie politike. Zotëri i nderuar do të jetë e vështirë për ju që të bëni drejtësi në një vend të padrejtë dhe mendoj dhe jam i bindur se në vende autoritare sistemi i drejtësisë kthehet vegla më e rrezikshme për të bërë padrejtësi. Në të gjitha sistemet autoritare të gjitha krimet ndodhin në emër të drejtësisë. Në shumicën e përgjimeve të agjencive të huaja dhe gazetave, nga Bild, franceze, belge, Shqipëria mbetet një vend në top list në transportin e kokainës, në një pjesë janë përfshirë qeveritare dhe deputetë. Kur ju vini në këtë sallë dhe raportoni për drejtësinë, si ndiheni kur vini raportoni në një vend që e dini se një pjesë e madhe janë të përfshirë në trafikun e kokainës. Pyetja konkrete: A keni marrë ju një nismë ose një hetim në lidhje me krimin e organizuar i cili është drejtuar drejt Sinaloas, Meksikës dhe po vjen në Shqipëri. A do mundeni ju ti garantoni shqiptarëve drejtësinë, kur dhe vetë ripërtëritja juaj institucionale varet nga mazhoranca, varet nga politika. Pyetja ime është e fundit: A besoni dhe ju vetë që në këtë vend, ju vetëm do të bëni drejtësi?
Altin Dumani: Tani lidhur me pyetjen e parë, që shkruan Bild apo shumë media të tjera sa i përket trafikimit të kokainës, tani krimi i organizuar shqiptarë është më i sofistikueri e kemi pranuar dhe ne, por hetimet tona tregojnë se grupet shqiptare janë në kontakte të drejtëpërdrejtë me kartelet e kokainës atje ku prodhohet. Portet e preferuara nuk janë portet shqiptare, janë ato të Gjermanisë, Italisë, Belgjikës dhe Hollandes. Grupet kriminale shqiptare synojnë trafikimin e drejtëpërdrejtë nga vendet e Amerikës Latine në portet europiane, atje ku është dhe konsumi më i madh i kokainës. Unë nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje por në raport gjeni të dhëna, që ne kemi vendosur kontakte thuajse me të gjithë vendet e Amerikës Latine. Kemi komunikime me ta dhe kjo patjetër është një gjë e mirë për të patur produkte konkrete. A do mund të bëni drejtësi? E para ne jemi organ i ndjekjes penale nuk japim drejtësi, ngrejmë akuzë në emër të shtetit, por në aq sa kontribojmë ne, unë e kam deklaruar dhe në emër të prokurorëve që duhet të shikohet mundësia për të konkuruar për të qenë pjesë e SPAK edhe pas mbarimt të afatit 9-vjeçar. Unë mendoj se dhe 9 vjet të jesh përfaqësues i SPAK është një nder dhe mjaftojnë për ti shërbyer institucionit. Patjetër kam dhjetëra argumente se pse mendoj se prokurorët e SPAK duhet të iu njihet mundësia që të rikandidojnë. A besoni që vetëm do bëni drejtësi? Zoti Alizoti unë e përmenda dhe më parë në fjalën time, ku përmenda rënien e numrit të referimeve, SPAK nuk është një ishull, SPAK i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, prandaj ka dhe nevojë të bashkëpunjë me institucionet e tjera.
Vijat e kuqe
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj gjatë pyetjeve të tij drejtuar kreut të SPAK u ndal tek hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe dosjen “5D”. Shehaj iu drejtua Dumanit duke e pyetur për vijat e kuqe që sipas tij, nuk e lejojnë SPAK të shkojë deri tek Kryeministri Edi Rama apo Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Pretendime të hedhura poshtë nga Dumani, i cili tha se të vetmet vija të kuqe për të dhe prokurorët e SPAK janë ligji dhe Kushtetuta.
Agron Shehaj: Zoti Dumani në radhë të parë ju falenderoj që lejuat kolegen të mbaronte fjalimin, por në këtë parlament dhe kush e ka gabim katë drejtë të flasë. Shqipëria siç e dinë të gjithë është një nga vendet më të korruptuara në europë dhe korrupsioni buron nga kjo sallë. Ata që kanë ndjekur seancën sot kanë menduar se po iu bëjmë gjyqin, a thua se korrupsion në këtë vend e solli zoti Dumani. Më bëri përshtypje gjithashtu zoti Dumani që ju këtu u morët në mbrojtje nga mazhoranca dhe nëse ky vend është i korruoptuar është se kemi një qeveri të korruptuar. Kjo nuk është vetëm një rezultat i një rrelloje logjike por kemi pasur dhe fakte se si anëtarë të qeverisë kanë qenë të përfshirë në korrupsion. Ne jemi të shqetësuar se ju, ju pëlqen apo jo keni në dorë fatin e Shqipërisë, ju bashkë me opozitën, me ata që do të donit që të luftonin korrupsion. Nëse ju dështoni zoti Dumani dhe ajo pak shpresë që ka mbetur në këtë do të shuhet. Unë dua ta nis nga faktet, nuk dua të paragjykoj dhe faktet tregojnë që ju zoti Dumani keni bërë një punë të madhe nga sa është bërë përpara. Këtë e tregon dhe besimi që keni në shoqëri. Duam të kuptojmë a ka një vijë të kuqe zoti Dumani që ju përtej të cilës e keni të pamundur që të shkoni. Se po të shoim faktet duket se ka një vijë të kuqe. Unë nuk besoj se ju mendoni vërtetë se skandali i inceneratorit të Tiranës ka pasur në krye Mertirin dhe Zoton. Ajo që besojmë është se ju nuk keni pasur mundësi të shkoni përtej ose jeni duke punuar. Kjo ishte pyetja ime: Ka një vijë të kuqe pëtej së cilës nuk shkoni dot? Pyetja e dytë, ju keni një besueshmëri, nëse vazhdoni duke bërë hetime për skandalet më të madhe, dhe nuk përfshini kryeministrin nuk besoj se kjo besueshmëri do të vazhdojë. Vërtetë e mendoni që Kryeministri nuk ka dorë? Në skandalin “5D”, ku ju keni hetuar dhe arrestuar një pjesë të madhe nuk ka dorë Kryetari i Bashkisë së Tiranës? Këto janë pyetjet e mia dhe në fakt janë këto pyetje dhe dyshimet mbi këto që sapo thashë që më bëjnë të mendoj të besoj se ka një vijë të kuqe përtej së cilës nuk shkoni dot.
Altin Dumani: Atëherë, e para unë nuk kam nevojë për mbrojtjen e askujt zoti deputet. Mbrojtja ime e vetme është ligji, Kushtetuta, personaliteti dhe karakteri. A ka një vijë të kuqe? Ka vetëm njjë vijë të kuqe që janë provat dhe ligji. Procesi i hetimit është i vështirë dhe përvueshmëria është një proces shumë i vështrë prandaj detyra jonë është dhe ne po përpiqemi ta përmbushim këtë detyrë është që e para në çdo kallëzim të heton të gjithë faktet e kallëzuar si dhe të hetohet roli, kontributi i çdo personi të kallëzuar dhe këtë bëjmë në hetimet e çështjeve që kemi në dorë. Përvueshmëria është fazë tjetër. Kjo është vija e kuqe. Nuk kemi vijë të kuqe nga askush. Ne ushtrojmë funskionet tona në mënyrë të pavarur nga krimi dhe politika. Tani ju pyesni a mendoni se Kryeministri nuk ka dorë tek inceneratori, Veliaj… Prokurorit nuk i lejohet të shfaqë mendime, prokurori mbledh provat. Nuk mund të japë mendim. Por zoti Shehaj, çdo gjë ka kohën e vet, hetimi kërkon ndërveprimin e shumë institucioneve, personave të ngarkuar me hetimin, por vërtetë që janë çështje që kërkojnë angazhim të burimeve njerëzore dhe infrastrukturën e nevojshme.
Pronat e ushtrisë
Ligjvënësja demokrate, Ina Zhupa u ndal te pyetjet që lidheshin me hetimet që po kryen SPAK në lidhje me pronat e ushtrisë. Zhupa e pyeti Dumanin nëse do të merren nën hetim ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka apo Presidenti Bajram Begaj, në cilësinë e ish-Shefit të Shtabit të FA-së, për shitjen e pronave të ushtrisë apo dhënien e tyre me koncension. Dumani zgjodhi të mos përgjigjej duke deklaruar vetëm se është çështje nën hetim.
Ina Zhupa: Desha të iu pyes si drejtues i kësaj strukture, a mendoni se gjatë punës janë bërë dhe gabime. Në lidhje me këto gabime a mund të pranoni ndonjë gabim të punës tuaj 1-vjeçare, për të cilën raportoni këtu. Duke qenë se publikisht të paktën ka pasur raste ku prokurorë të caktuar të strukturës së SPAK janë akuzaur nga individë të caktuar që janë hetuar nga SPAK. Keni nisur ndonjëherë hetim ndaj kolegëve tuaj prokurorë, cilët janë ata nëse mund ti ndani me publikun. Së fundmi lidhet drjetpërdrejtë me zonën time elektorale, lidhet me pronat e ushtrisë. Ato janë janë shitur ose dhënë me koncension, ato kanë prekur sigurinë kombëtare, janë prona që janë duke u hetuar nga SPAK. Ju a keni nisur ndonjë hetim dhe në këtë hetim a përfshihet ish-ministrja Olta Xhaçka dhe Presidenti Begaj si ish-Shefi i Shtabit.
Altin Dumani: Ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë, edhe unë si drejtues mund kisha performuar edhe më mirë. Të gjithë kemi mundësi të bëjmë më mirë. Institucioni ishte i ri, do kohën e vetë të maturimit, prokurorët kanë ardhur nga Prokrurori dhe profilizime të ndryshme. Kemi vend për t’u përmirësuar. Ndryshe është të bësh akuzë publike, ndryshe është rasti kur ka kallëzim. Kurse sa i takon deklarimeve publike, si për deklarimet e tjera publike, ne bëjmë verifikime. Ne kemi një ndër arritjet e këtij institucioni që është sot, është që kemi ndërtuar një rrjet aksesi në shumë database dhe kemi deri diku të vështirë nëse denoncimi që ju bëtë ka bazë, qëndron apo jo. Siç edhe ka ndodhur në raste të tjera…që nuk na ka rezultuar ashtu. Denoncuesi ka një pjesë të të dhënave, nuk e ka të plotën. E njëjta gjë ndodh edhe kur denoncohen prokurorët. Është çështje nën hetim dhe nuk jap dot përgjigje.
Nga mazhoranca, në “mbrojtje” i doli ministri I Brendshëm, Taulant Balla dhe socialisti, Pandeli Majko. Balla pati një debat të fortë verbal me kreun e grupit të PD-së, Gazment Bardhi, për të cilin tha se është i i vetmi në sallën e Kuvendit që ka konflikt interesi.
Taulant Balla: Ka mundësi të ketë pyetje për raportin? Ju bëni diskutime. Ne jemi mbledhur të vijmë me diskutime. Kush je ti, a thua se po na ca cakton ti të drejtën të flasim ne? Një zotëri ka konflikt interesi të bëjë pyetje këtu. Zotëria atje në fund. Kaq. Zonja drejtuese e seancës respektoni rregulloren.
Gazment Bardhi: Nëse ka një njeri që ka konflikt interesi në këtë sallë është zotëria që sapo foli. E kuptoj shqetësimin tuaj, kemi pyetje, a ka politikanë në përgjime me krimin e organizuar. Besoj do kemi zhvillime shumë shpejt. Do presim dhe do kemi mundësi të flasim në këtë çështje. Nuk ka ndodhur që anëtarë të kabinetit qeveritar të udhëzojnë deputetët se çfarë duhet të flasin, si duhet të flasin, si duhet të bëjmë pyetje, a duhet të bëjmë pyetje dhe qenka e ç’balancuar? Kolegët tuaj të bëjnë pyetje nuk i ka ndaluar njeri. Në përputhje me rregulloren të bëjnë pyetje. Drejtuesi i prokurorisë së Posaçme jep përgjigje ashtu siç ai dëshiron, pa i ndërhyrë askush. Është hera e parë dhe e fundit që anëtarë të kabinetit qeveritar përpiqen ti diktohen seancës se si ky parlament duhet të bëjë debatin mbi raportin e institucioneve të pavarura.
Por kreu i SPAK tha se ai nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, pasi mbrojtja e tij janë ligji dhe Kushtetuta.
Altin Dumani: Atëherë, e para unë nuk kam nevojë për mbrojtjen e askujt zoti deputet. Mbrojtja ime e vetme është ligji, Kushtetuta, personaliteti dhe karakteri./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente