Në kurthin e importeve dhe shpresën e turizmit
porti i durresit
TIRANË- Për dekada me radhë, Shqipëria i shfrytëzoi në maksimum avantazhet e saj kryesore konkurruese: krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe burimet e pasura natyrore. Industria e tekstileve dhe këpucëve u zhvillua me shpejtësi pas viteve ’90.
Pasuritë natyrore u dhanë me koncesion, që nga mineralet e deri te nxjerrja e naftës. Ky model ekonomik, përtej hovit që i dha ekonomisë, sidomos eksporteve dhe ndikimit në punësim, në kahun tjetër shkaktoi “dembelizëm”, si në kahun e sipërmarrjeve ashtu dhe të politikëbërësve.
Edhe në vitin 2023, rreth 50% e totalit të eksporteve vijnë nga këto dy grupe. Industria e tekstileve dhe këpucëve zë rreth gjysmën e të punësuarve në industrinë përpunuese dhe rreth 10% të totalit nga sipërmarrjet private.
Edhe investimet e vetme të viteve të fundit, ato të industrisë mbështetëse automotive, sërish kishin avantazh krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe “përfituan” nga kalimi i shteteve si Çekia dhe Polonia, drejt një faze më të lartë të bazuar te teknologjia dhe njohuritë.
Pesha e këtij grupi u rrit me shpejtësi në pak vite, duke arritur në gati 9% në 2023.
Tashmë, modeli i krahut të lirë të fuqisë punëtore ka përfunduar, duke e futur ekonominë në një ngërç, pasi ndonëse e dinim që një ditë kjo do të ndodhte, pakkush ishte i përgatitur, apo shpresonte që të zgjaste sa më shumë.
Dy vitet e fundit, pagat janë rritur si me vendim administrativ (ajo minimale) ashtu dhe nga presioni i emigrimit të fuqisë punëtore.
E shoqëruar me zhvlerësimin e fortë të Euros, këto dy goditje kanë qenë fatale për shumë eksportues, që po humbasin kontrata.
Nuk janë vetëm eksportuesit tradicionalë të tekstilëve e këpucëve në vështirësi, por edhe ata të industrisë mbështetëse automotive, që po shohin tkurrje të shitjeve te partnerët ndërkombëtarë. Këta sektorë e kanë më të lehtë zhvendosjen në momentin që kostot në një vend ku ata kanë porosi rriten.
Shqipëria kishte kohë të përgatitej. Që në fillim të viteve 2000, kur vendi hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) ishte e qartë që vendi do të duhet të zhvillonte avantazhet konkurruese në mënyrë që të përballej si me importet që do të hynin pa tarifa mbrojtëse, ashtu dhe me standardet që do të kërkoheshin në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Pakkush e vuri ujin në zjarr si në kahun e sipërmarrjeve, ashtu dhe të politikëbërjes, për sa kohë që ekonomia po ecte vetë.
Ndaj goditja e rritjes së pagave dhe rënies së Euros, që i hoqi vendit avantazhin e kostove të lira, gjeti shumëkënd të papërgatitur. Krahas rrezikut të falimentit të shumë sipërmarrjeve që punonin me material porositësi, efekti i menjëhershëm po vihet re në terrenin që po u lihet importeve.
Deficiti tregtar i vendit, që kishte filluar një ulje graduale, po rritet me shpejtësi, duke përkeqësuar edhe gjithë bilancin e pagesave në tre muajt e parë të vitit. Shumë industri përpunuese, si ajo e qumështit, po i drejtohen importit për lëndë të parë, duke anashkaluar prodhuesit vendas.
Industria vendase e birrës po tkurret vazhdimisht, madje së fundmi ata po kthehen thjesht në ambalazhues të produktit që po e marrin të gatshëm nga jashtë. Shumë sipërmarrës të tjerë, të cilët kishin vite që po investonin, po kthehen thjesht në importues.
Paradoksalisht, ecuria shumë e mirë e turizmit nuk po arrin të nxisë bujqësinë, që ka hyrë në territor negativ prej shumë tremujorësh. Kërkesa e shtuar nga turistët po plotësohet në një pjesë të madhe po nga importet, duke bërë që një pjesë e madhe e valutës që hyn, të dalë sërish.
Nuk ndihmon as braktisja e fshatrave dhe e blegtorisë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë. Vetë sipërmarrjet kanë hyrë në ngërç mes presionit të vazhdueshëm për rritje pagash, shtimit të kostove, konkurrencës nga importi, që nuk mundëson transferimin e shpenzimeve shtesë në çmim.
Qeveria, nga ana e saj, duket e painteresuar për të bashkëpunuar, duke bërë ligje që po kundërshtohen nga grupet e interesit (tre prej tyre janë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ligji i Dhomave po kundërshtohet nga gjithë organizmat e Shoqatat e Investitorëve).
Ekonomia është duke kaluar me shpejtësi një fazë që duhet të ishte shtrirë në të paktën në një dekadë apo më shumë. Përshtatja e sipërmarrjeve ka filluar, që po orientohen duke rivlerësuar mallin e kapitalin.
Një pjesë e eksportuesve po mbyllin ciklin, të tjerë po investojnë në teknologji për të rritur produktivitetin (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).
Një shans i artë është turizmi. Një pjesë e aktivitetit të ekonomisë po orientohet drejt këtij sektori me të ardhme, duke krijuar dhe mundësi të reja punësimi për ata që mund të dalin të papunë nga mbyllja e industrive që nuk kanë më potencial të ecin përpara.
Kërkesa e lartë për punonjës nga sektori i turizmit po rrit dhe pagat, duke nxitur kryesisht të rinjtë, që më parë shihnin si alternativë emigracionin.
Përvoja ka treguar se biznesi do të dijë të diversifikohet gjithmonë drejt sektorëve që gjenerojnë fitim maksimal.
Gjithsesi kjo periudhë nuk pritet të kalojë pa kosto, teksa tranzicioni do të kishte qenë shumë më i butë nëse politikat e zhvillimit të vendit do të ishin orientuar drejt krijimit të një mjedisi më pozitiv për nxitjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve, që do t’i jepnin vlerë të shtuar ekonomisë së vendit.
Strategjia e vetme, që po zbatohet me vendosmëri, është ajo e kullave dhe e betonizimit të çdo hapësire të mbetur, duke shkuar paradoksalisht në drejtim të kundërt me kursin e ekonomisë./MONITOR
Burimi