Në kërkim për trafik armësh, arrestohet në Kolumbi Admir Tutaj, pritet ekstradimi drejt Shqipërisë

Në kërkim për trafik armësh, arrestohet në Kolumbi Admir Tutaj, pritet ekstradimi drejt Shqipërisë

Admir Tutaj

TIRANË- Arrestohet në Kolumbi 25-vjeçari, Admir Tutaj, i shpallur në kërkim si pjesëtar i një grupi kriminal. Ndaj Tutaj, u lëshua urdhër arresti pasi në prill të vitit të kaluar, tentoi të trafikonte 7 pistoleta nga Durrësi në Britani.
Armët e zjarrit dyshohej se i përkisnin grupit kriminal në të cilin ai bënte pjesë. Në korrik të këtij viti, SPAK, lëshoi urdhër ndërkombëtar arresti për 25-vjeçarin. Ai pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
“Pjesëtar i një grupi kriminal, i cili në prill të këtij viti, tentoi të trafikonte nëpërmjet portit të Durrësit, në Britani të Madhe, 7 pistoleta dhe municion luftarak, kapet në Kolumbi, 25-vjeçari.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve, në kohë reale, me partnerët e Interpol Bogota, Kolumbi, u mundësua kapja dhe arrestimi në Kolumbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit A. T., 25 vjeç, i lindur në Tropojë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 30.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Më datë 10.04.2023, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në portin e Durrësit, një arsenal armësh të fshehur në një furgon (7 pistoleta, një sasi të madhe municioni luftarak dhe aksesorë për armë), që dyshohet se do të trafikohej në Britani të Madhe, nga grupi kriminal ku bënte pjesë shtetasi A. T.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Bogotën, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri”, njofton policia. /ZËRI
Burimi