Ndarja nga jeta e Kadaresë, ambasada e BE dhe SHBA: Vepra e tij krijoi ura mes Shqipërisë dhe botës
Ismail Kadare
TIRANË-Ambasada e BE-së dhe ajo e SHBA kanë reaguar për ndarjen nga jeta të kolosit të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare. Në reagimin e Ambasadës amerikane vlerësohet krijimtaria e shkrimtarit të madh Kadare. Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës.
Ambasada e SHBA: Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, letërsia e të cilit frymëzon lexues në mbarë botën. Kujtojmë me kënaqësi që Ambasada e SHBA nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë në vitin 2020. Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar.
Po ashtu edhe Ambasada e BE-së ka shprehur ngudhëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh. Ambasada shprehet se zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe trashëgimia e Kadaresë do të jetojë gjatë.
Ambasada e BE: Lajm i trishtë nga Tirana sot. Ismail Kadare, një kolos i letrave dhe zë i dashur i Shqipërisë, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare. Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke shfaqur kulturën e pasur dhe të larmishme shqiptare në mbarë botën. Proza e tij e mprehtë, depërtuese dhe gjithsesi mirëdashëse pasqyronte kompleksitetin e historisë dhe folklorit të Shqipërisë. Ngushëllimet tona më të sinqerta për të dashurit e tij dhe të gjithë ata që e admiruan gjenialitetin e tij. Trashëgimia e Kadaresë do të jetojë gjatë.
Zemra e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare u ndal sot në moshën 88 vjeçare. Shkrimtari i madh është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. /ZËRI
Burimi