
“Motra ime ka humbur, nuk e gjejmë”/ Të mbijetuarit e tragjedisë në Koçan rrëfejnë tmerrin
Një nga të plagosurit
SHKUP- Situatë e tensionuar në oborrin e spitalit të Koçanit, ku familjarët me çdo kusht kërkojnë që t’i marrin kufomat e të afërmve të tyre që kanë humbur jetën në aksidentin tragjik në diskotekën “Puls”. Dhimbje, trishtim, frikë dhe lot në sytë e familjarëve që prisnin në oborrin e spitalit për të marrë informacione për gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre. Në mesin e tyre, Alsat gjeti edhe të mbijetuar të zjarrit, që flasin për tmerrin e përjetuar.
“Të gjithë filluan të vrapojnë drejt daljes. Të gjithë shihnin si ta shpëtojnë jetën. Askush nuk ishte i vetëdijshëm, trupa të djegur. Të gjithë ishin nën stres. Motra ime ka humbur, nuk mund ta gjejmë në asnjë spital…. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe njerëzit shkelën mbi mua,”- tha një e mbijetuar.
INTERVISTA ME NJË TË LËNDUAR:
I plagosuri: Ndodhi me shpejtësi, nuk e mbaj mend si u lëndova dhe si arrita deri në spital.. Kam djegie në kokë dhe nëpër duar.
A tërhoqët dikën me vete? A ndihmuat apo ju ndihmuan?
I plagosuri: Asgjë nuk mbaj mend, vetëm e di se një zjarrfikës më tërhoqi dhe më tej asgjë më nuk di.
A e dini se në çfarë kohe ka ndodhur?
I plagosuri: Mendoj se rreth orës 3 e gjysmë, ashtu disi, gjithçka ndodhi me shpejtësi.
A jeni të lënduar nga turmat apo nga zjarri?
I plagosuri: Nga zjarri.
Qytetarët dhe të afërmit shprehen të tmerruar nga kjo fatkeqësi.
“I biri i një mikut tim punonte sigurim, u helmua me monoksid, merrte pjesë në tërheqjen, thotë se ishte e tmerrshme, do të ju lutem kaq, nuk mundem më tepër,”- u shpreh një familjar.
Ndihmë ofroi edhe Kryqi i Kuq. Kryetari, Sait Saiti tha se aktualisht nuk ka nevojë për dhurim të gjakut për pacientët.
“Sa i përket gjakut, për momentin nuk kemi nevojë, rezervat e sistemit shëndetësorë janë të mjaftueshme, nëse ka nevojë eventualisht këtu jemi. Mirëpo për momentin nuk ka nevojë të mobilizohemi për një aktivitet të tillë”, tha Sait Sati, Kryqi i Kuq.
Nga Kryqi i Kuq thonë se në terren do të mbeten edhe në ditët në vazhdim./Alsat.mk
Burimi