Mjekët biznes me vdekjen tek Onkologjiku/ Pacientët rrëfejnë dramën: Po na shkurtohet jeta! Ilaçet falas nuk bëjnë

Mjekët biznes me vdekjen tek Onkologjiku/ Pacientët rrëfejnë dramën: Po na shkurtohet jeta! Ilaçet falas nuk bëjnë

Doktorët e arrestuar dhe pacientët që u prononcuan për mediat

TIRANË- Një ditë pas skandalit ku mjekë dhe punonjës të spitalit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e kishin kthyer në biznes jetën e pacientëve me kancer, saga e tyre vijon dhe këtë të mërkurë, në dyert spitalit që për ata tashmë është kthyer në “ferr”. Për mediat, ata shprehen të tronditur nga ajo çfarë ka ndodhur. Ndërkohë një paciente, tregon dramën e saj, ku sot duhej të merrte dozën e parë, të PHESGO-s, medikamentit që përdoret për kancerin e gjirit, por që i kanë thënë se nuk ka për momentin dhe e kanë orientuar drejt një tjetër medikamenti, Herceptinës që sipas saj, nuk ka të njëtin efekt. Ndërkohë një zotëri rrëfen dramën e tij në dyert e Onkologjikut, ndërsa shton se ilaçet që merren falas nga shteti nuk bëjnë.

Rrëfimet e pacientëve:
Pacienti 1: E kam dëgjuar, është shumë e tmerrshme. Është shumë e rëndë si ngjarje.
Pacienti 2: Unë jam pacienti që do të shkoj tani këtu. Aty futesh si në burg. Me roje. Këtu ka aq shumë të sëmurë sa një doktoreshë bën 60 vizita. Ilaçet si ti marr në spital si në farmaci, ato që jep shteti falas nuk bëjnë falas. Ne i marrim me rimbursim, rimbursimi është që unë të paguaj 80-90 mijë lekë në muaj për dy ilaçe, Elektrozolin dhe Bandomatin. Shteti kaq thotë, 20% do ti paguash ti. Po hyre për të bërë kimio këtu, kur nuk ka nuk ka. Nuk ka një javë, dy javë derisa kanë bërë tenderin tjetër. Zakonisht këto ndodhin në fund të vitit. Shteti e ka llogaritur 500 veta, këtu sëmuren 1000 veta, të vdesin këta njerëz, mos të marrin ilaçe?! Shërbimi farmaceutik spitalor nuk ka kimio në magazinë. Ka thënë nuk ka sot, do vish pas një jave kur të vijë, çfarë do të bësh?
Pacienti 3: Të japin Herceptinën që është vetëm me një përbërës, jo me dy përbërës siç është Phesgo. Do pres tani, kam lëvizur të gjithë gurët e mundshëm. Mungon pra nuk është, pret përgjigje nga farmacia, të vijë ilaçi kryesor që është me dy përbërës dhe nuk po e marr dot. Do marrësh Herceptinë se bën punën ajo. Herceptina, ka vetëm një përbërës dhe e lufton qelizën vetëm nga koka, Phesgo ka dy përbërës dhe e lufton qelizën nga koka dhe nga bishti. Mua po më shkurtohet jeta, përveçse nga kanceri, tani po më shkurtohet nga stresi. Si mund të ndihesh. Zoti të hedh një siklet, të lutem, të lutem. Fajin e kanë ata lart dhe këta nuk kanë se çfarë të bëjnë po nuk erdhi Phezgo.
Mjekët e punonjësit e spitalit “Onkologjik” kishin ngritur një skemë mashtrimi e abuzimi, ku për të fituar shuma të majme monetare, linin pa shërbim pacientët me sëmundje tumorale, në mënyrë që ata të drejtoheshin tek klinika private. Pjesë e kësaj skeme ishin: Edmond Gashi, mjek pranë Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik, Alketa Ymeri (Pere), Mjeke pranë Spitalit Onkologjik, Brikena Qirjazi zëvendësdrejtoreshë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, në bashkëpunim me pronarin e klinikës private “Megis”, që është në administrim të Halil Gashit, Florian Marku, administratori i farmacisë ‘Flori Farma’ dhe Drilona Kishta. Sipas dosjes së siguruar nga ZËRI, nëse një pacient kërkonte të merrte shërbim pranë Onkologjikut, mjekët i flisnin për radhë të gjata dhe i orientonin për në klinikën “Megis”. Medikamentet shiteshin kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara, duke rënduar kështu situatën. Disa prej barnave ishin marrë na departamenti i Onkologjisë. Kur një pacient kërkonte dozën tek Onkologjiku, i jepej një sasi e vogël, pjesa tjetër gjendjej në klinikën “Megis”. Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që ishte lënë jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Përgjimet dhe bisedat mes mjekëve dhe bashkëpunëtorëve nuk nxorrën në pah vetëm paligjshmërinë që po zhvillohej në këtë spital, por edhe neglizhencën e mungesën e humanitetit që bluzat e bardha tregonin ndaj të sëmurëve. Një prej rasteve është ai kur pacientët kishin temperaturë, ndërsa mjeku Gashi shfaqet totalisht moskokëçarës ndaj këtij fakti. Në të tjera mesazhe dallohet paniku i shtuar tek pacientët e sëmurë që i dërgonin me urgjencë tek klinika private në mënyrë që të operoheshin aty dhe tu merreshin paratë, pavarësisht shanseve që kishin për të mbijetuar. Bisedat ku mjekët ishin të interesuar dhe detajistë janë ato për pazaret nën duar si dhe pushimet që do të bënin me paratë e fituara./ZËRI
Burimi