Mesazh nga Rama për “Xibrakën”? Dumani i përgjigjet Bardhit: Kam marrëdhënie institucionale!
Gazment Bardhi dhe Altin Dumani
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka parashtruar disa pyetje kreut të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Pasi Dumani përfundoi raportimin në Kuvend, fjalën e mori Bardhi, i cili i bëri disa pyetje duke nisur me çështjen e kredive të dhëna nga institucionet që kanë shkaktuar një dramë sociale në vendin tonë, e më pas u ndal edhe tek inceneratori i Tiranës, por edhe tek dosja “Xibraka”. Në fjalën e tij, Dumani tha se lidhur me çështjen e guvernatorit Gent Sejko dhe çështjen e kredive, SPAK ishte thirrur si palë, por shtoi se nuk kishin kërkuar pushimin e çështjes.
“Gjykata e shkallës së parë e ka shpallur moskompetencën edhe i ka kaluar aktet në SPAK. Ne jemi thirrur si palë. SPAK nuk është shprehur për lënien në fuqi të pushimit. Nuk është e vërtetë. E bëra publike sepse kemi njoftimin e Gjykatës.”
Lidhur me inceneratorët, u shpreh se hetimi nuk është i thjeshtë, pasi sipas tij, kemi të bëjmë me intelektualë, pra persona që para se të kryejnë krimin, janë kujdesur që të fshijnë të gjithë gjurmët e tyre. Në fund, Bardhi e vuri përballë një ngjarje që sipas tij ka ndodhur, edhe pse Dumani nuk e pranoi. Sipas Bardhit, kryeministri Edi Rama i ka dërguar mesazh Dumanit që të mbyllë sa më shpejt dosjen e Xibrakës.
Bardhi: Rezulton se Kryeminsitri Edi Rama, përmes një shtetasi funksionar publik i ka përcjellur drejtuesit të SPAK, një mesazh duke kërkuar që “Cështja Xibraka”, të “mbyllet pak shpejt”. Duke vlerësuar integritetin e Drejtuesit të SPAK, dhe duke shmangur komentet tuaja për veprimet e kryeministrit, duhet që të informoni Kuvendin e Shqipërisë, mbi përgjigjen që ju i keni dhënë kryeministrit dhe a jepni ju garanci si drejtues i Prokurorisë që ky mesazh privat i Kryeministrit nuk do të ndikoje në punën tuaj?
Dumani: E para lidhur me kryeministrin apo çdo titullar institucioni, marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Nuk marr as nuk përcjellë asnjë lloj mesazhi, ushtroj detyrat e mia. Kjo është marrëdhënia ime që ekziston me të gjithë pa përjashtim.
E PLOTË- PYETJET NDAJ ALTIN DUMANIT:
Bardhi: Çfarë po bën SPAK për skandalin e mikrokredive, janë 100 mijë familje që vuajnë pasojat e atij skandali? Pyetja e dytë ka të bëjë me disa kallëzime, hetimet për inceneratorin e Tiranës; kallëzimi ynë është dorëzuar në vitin 2020, a mund të na thoni se në çfarë momentumi ndodhet hetimi; a mund të na informoni se çfarë po bëhet më këtë hetim 4-vjeçar pranë SPAK? Kaq i vështirë është hetimi për këtë çështje kur fakti është publik? Ne paguajmë lekë ndërkohë që nuk ka një incenerator. Në media është referuar një skandal, ish-agjenti Coldea, i cili dyshohet ser është i përfshirë në një linjë trafiku droge, a ka nisur një hetim kryesisht për të verifikuar atë që raportohet në media. Keni marrë një raport nga zyra e OLAF lidhur me fondet e bujqësisë; a mund të na thoni a ka nisur një hetim prokuroria e posaçme? Së fundmi, rezulton sipas informacioneve që disponon grupi i PD se kryeministri Edi Rama përmes një shtetasi, emrin nuk po e përmend, por e dimë shumë mirë, punëonjës në një nga institucionet e pavarurua, iu ka përcjellë një mesazh privat që çështja “Xibraka” të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Unë dua të di, dua të dëgjoj prej jush, përgjigjen që i keni përcjellë mbrapsht kryeministrit. Pas kësaj ndërhyrje, a jepni garanci se kjo çështje do të hetohet e pandikuar ashtu siç ligji e kërkon.
Altin Dumani: Lidhur me rastin e parë, faktikisht ngaqë edhe GJKKO ka reaguar me një njoftim për mediat nuk ka më sekret. Nuk është çështje e mosfilluar nga SPAK, por edhe nga vetëpërmbajtja evidentohet qartësisht historia e atij kallëzimi. Këtë çështja e ka trajtuar Prokuroria e Tiranës. Gjykata e shkallës së parë e ka shpallur moskompetencën edhe i ka kaluar aktet në SPAK. Ne jemi thirrur si palë. SPAK nuk është shprehur për lënien në fuqi të pushimit. Nuk është e vërtetë. E bëra publike sepse kemi njoftimin e Gjykatës.
Faktikisht unë të shkruar e kam ndryshe. Duhet të kuptojmë rolin e drejtuesit të SPAK. Nuk kam asnjë lloj kompetencë, patjetër, drejtuesi i SPAK mund të ndërhyjë vetëm me një udhëzim jodetyrues. Çështjet e mbartura janë një problematikë, e kam prezantuar si problematikë. Si drejtues i SPAK kam bërë të gjitha përpjekjet për të nxitur prokurorët dhe hetuesit për evadimin sa më të shpejtë të çështjeve. Si drejtues i kam ofruar të gjithë jetën time. I kam shtuar numrin e hetuesëve për çështjen konkrete. Gjatë vitit 2023 ka pasur ecuri. Hetimi i çështjeve nuk është aq i thjeshtë, është i vështirë, sidomos kur vjen puna tek çështjet me natyrë korruptive. Intelektuali para se të bëjë krimin, përpiqet të mendojë sesi do të fshehë krimin. Çështja është nën hetim paraprak, kemi bërë me dije të rejat sa herë ka pasur rast për të vënë në dijeni publikun. Çështja vazhdon që të hetohet. Është shumë komplekse, vetëm prokurori e di sa kompleks është ai hetim. Lidhur me pyetjen e tretë, nuk kam asnjë koment. Lidhur me çështjen e fondeve IPARD, është një çështje nën hetim. SPAK e ka bërë publik që e kemi si çështje nën hetim paraprak. Po hetohet çdo ditë.
Lidhur me pyetjen e fundit, e para lidhur me kryeministrin apo çdo titullar institucioni, marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Nuk marr as nuk përcjellë asnjë lloj mesazhi, ushtroj detyrat e mia. Kjo është marrëdhënia ime që ekziston me të gjithë pa përjashtim./ZËRI
Burimi