
Me Trump apo me Evropën? Vendimi i vështirë që duhet të marrë Meloni
Giorgia Meloni
ROMË- Si synon të veprojë kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërkohë që kriza në marrëdhëniet euroatlantike vazhdon? Pyetja ka kohë që qarkullon në mesin e politikanëve dhe analistëve, duke qenë se Meloni është një bashkëbiseduese e privilegjuar me presidentin Donald Trump. Ajo ishte e vetmja udhëheqëse evropiane e ftuar dhe mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij – por, nga ana tjetër, ajo drejton ekonominë e tretë më të madhe të BE-së dhe një nga vendet themeluese të saj.
Në samitin urgjent të BE-së të së enjtes në Bruksel, Italia ra dakord për formimin e një mbrojtjeje të përbashkët evropiane dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Megjithatë, Meloni është në një pozitë të vështirë pasi përpiqet të ruajë ekuilibrin mes SHBA-së së Presidentit Trump, me të cilin ka deklaruar se është në të njëjtën faqe ideologjikisht.Meloni vlerësoi fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Mynih, i cili kritikoi Evropën për një deficit demokratik – dhe BE-së, së cilës i përket Italia.
Që nga fillimi i krizës në marrëdhëniet euroatlantike të shkaktuar nga administrata Trump, Meloni këmbënguli në idenë e unitetit perëndimor.
Ajo refuzon të pranojë se siguria e Italisë mund të arrihet pa mbrojtjen e SHBA. Ideja e vendosjes së sigurisë evropiane nën ombrellën bërthamore të Francës dhe Britanisë – të vetmet vende evropiane me armë bërthamore – është e papranueshme për të. Të dielën e kaluar, në samitin urgjent të Londrës për Ukrainën, të thirrur nga kryeministri britanik Keir Starmer, Meloni deklaroi se e konsideronte këtë ide një “zgjidhje të zgjuar”, sepse, siç vuri në dukje gazeta franceze Le Monde, kjo do të nënkuptonte shkëputje të mëtejshme të SHBA nga Evropa dhe do të ulte rolin e Italisë.
Ambicia e Melonit ishte të luante rolin e ndërtuesit të urës midis SHBA-së dhe BE-së. Me këmbënguljen e saj për të ruajtur me çdo kusht unitetin e Perëndimit, pavarësisht armiqësisë së dukshme të SHBA-së ndaj BE-së, Meloni nuk ka vend për manovrim. Ajo do të duhet të bindë partnerët e saj evropianë se Italia po merr pjesë aktive në formimin e mbrojtjes evropiane dhe se mbështet Kievin.
Meloni përsërit shpesh se interesat e vendit të saj janë të parat mbi gjithçka! Nisur nga rrethanat, ajo duhet të vendosë se si do të shërbehen më së miri interesat e Italisë: duke u bashkuar me Trump, duke kërcënuar kohezionin e BE-së, apo duke vazhduar në linjën e të gjitha qeverive italiane të pasluftës që mbështetën të gjitha institucionet ndërkombëtare – OKB-në, NATO-n, BE-në./ZËRI
Burimi