
Më shumë se një muaj në spital, Papa Françesku kthehet nesër në Vatikan
Papa Françesku
VATIKAN- Papa Françesku do të dalë nesër nga spitali “Gemelli”. Lajmin e dhanë mjekët duke shtuar se Papa do të kthehet në Santa Marta. Gjatë 37 ditëve të shtrimit në spital, shpjegoi ekipi mjekësor, u zbulua se Papa Françesku nuk ishte intubuar kurrë dhe ishte mbajtur gjithmonë vigjilent edhe pse ishte 2 herë në rrezik vdekje.
Pas daljes nga spitali, do të vijojë një periudhë dymujore pushimi për Papën, me mjekim të vazhdueshëm.
“Kur një pacient ka një infeksion të këtij lloji dhe ka qenë në një gjendje kaq të rëndë, progresi i mëtejshëm bëhet në shtëpi. Spitali është vendi më i keq për të vazhduar rikuperimin, sepse është vendi ku infeksionet mund të kapen më lehtë. Për shërimin e tij në Santa Marta, Papa nuk do të ketë nevojë për shumë gjëra, përveç oksigjenit. Përveç kësaj, për çdo nevojë, Vatikani ka një shërbim urgjence aktive 24 orë në ditë,”-tha prof.Sergio Alfieri, kreu i ekipit të mjekëve të spitalit “Gemelli”.
Papa Françesku u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator, i cili kërkonte trajtim të përshtatur vazhdimisht. Papa është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pneumonisë, një infeksion i mushkërive që mund të shkaktohet nga bakteret, viruset ose kërpudhat, pasi ka vuajtur nga pleuriti – një inflamacion i mushkërive – si i ri dhe i është hequr një mushkëri e pjesshme./ZËRI
Burimi