‘Më mirë vras veten se të kalbem në burg’, zbulohet dëshmia e djalit të efektivit Goxhara: Shkuam të dy me taksi drejt Dajtit

‘Më mirë vras veten se të kalbem në burg’, zbulohet dëshmia e djalit të efektivit Goxhara: Shkuam të dy me taksi drejt Dajtit

Erjon Goxhara dhe Lorenc Kosta

TIRANË- Efektivi i policisë Erjon Goxhara, autor i plagosjes së 45-vjeçarit Lorenc Kosta, nuk ka ndërmend që të dorëzohet, pavarësisht thirrjeve që i janë bërë dhe nga drejtues të policisë. Gjatë një bisede që ka bërë me një prej drejtuesve të policisë, menjëherë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, Goxhara është shprehur “më mirë vras veten, sesa të kalbem në burg”.
Ndërkohë referuar dosjes hetimore, është zbardhur dhe dëshmia e djalit të Goxharës, i cili ka qenë së bashku me të atin, disa minuta pas krimit të rëndë, teksa Goxhara ishte duke u arratisut në drejtim të Dajtit, ku policia dyshon se është fshehur pas ngjarjes. Djali i Goxharës ka rrëfyer se babai e ka telefonuar dhe i ka treguar për krimin që kishte kryer, dhe të dy ata janë takuar dhe janë nisur më nje taksi drejt zonës së Dajtit në Tiranë.
“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut.
Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja. Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”, ka rrëfyer djali i Goxharës.
Ngjarja e rëndë dyshohet se erdhi pas një konflikti për motive xhelozie që punonjësi i policisë së kufirit, Erjon Goxhara tashmë i përjashtuar nga radhët e uniformave blu, kishte me të plagosurin. Ky i fundit vijon të jetë në Spitalin e Traumës në kujdes intensiv, ndërsa policia është në kërkim të autorit. Për kapjen e tij janë angazhuar dhe forcat RENEA si dhe është vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë Eurosh për këdo që jep informacion për vendndodhjen e tij.
Bashkëshortja e Goxharës, me të cilin punonjësi i policisë është në process divorci, ka pranuar raportin intim që kishte me Kostën, me të cilin punonin së bashku në të njëjtin institucion. Pas plagosjes, Goxhara e ka filmuar për disa sekonda Kostën, dhe i ka dhënë edhe një mesazh: Kjo të ndodh kur tenton që të hysh në familjen e tjetrit! /ZËRI

goxhaa

download
Burimi