Me maskë, doreza e armë të ftohta në makinë, arrestohet italiani në Portin e Sarandës
armët e ftohta
SARANDË-Një 46-vjeçar italian është arrestuar në Portin e Sarandës pasi i janë gjetur armë të ftohta në makinë. Morris Mosconi ka qenë duke u larguar nga Sarandë, në momentin që i është ushtruar kontroll. Policia i ka gjetur disa armë të ftohta, si thikë e çekiçë, ndërsa po ashtu në makinë kishte edhe dorashka e kapuça të zinj.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle intensive nga shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Sarandës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.Vihet në pranga 1 shtetas italian, pasi në dalje të RSH-së, iu gjetën në automjet, disa armë të ftohta që i posedonte në kundërshtim me ligjin. Shërbimet e SPK Port Sarandë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin italian M. M.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan disa armë të ftohta, dorashka dhe kapuça në formën e maskës.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin italian M. M., 46 vjeç, banues në Itali. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Burimi