Mbushën me drogë Northampton, e pësojnë shqiptarët në Angli

Mbushën me drogë Northampton, e pësojnë shqiptarët në Angli

Të dënuarit

LONDËR- Katër shqiptarë në Angli u shpallën fajtor për akuzën e furnizimit me shumicë të lëndëve narkotike nga Northampton në Buckinghamshire dhe Essex. Ata janë dënuar më shumë se 15 vite burg në total. Ata u arrestuan në dhjetor 2022, nga policia e East Midlands pas një hetimi për aktivitetet e një grupi personash të dyshuar se ishin përfshirë në furnizimin e drogës së klasit B brenda Northampton dhe më gjerë.
Grupi u shiste kontakteve të krimit të organizuar në Milton Keynes dhe Essex, me dërgesa të shumta deri në 10 kg drogë të dorëzuara në kuti kartoni dhe qese plastike. Grupi Northampton drejtohej nga Fjoraldo Lazaj, 26 vjeç, i njohur ndryshe edhe si Fjori, i cili rregullonte shitjet me kontaktet e tij kriminale.
Më pas Lazaj organizoi dorëzimet e kanabisit në Northampton, si dhe dërgesat jashtë qytetit, të kryera nga bashkëpunëtorët e tij Almano Dano, 33 vjeç, Denis Mukaj, 27 vjeç dhe Aldi Mukaj, 33 vjeç. Më 18 qershor 2022, policia ndaloi një makinë të tyre ku u gjetën katër thasë me kanabis në total 10 kg, me një kod postar Essex. Gjithashtu u gjetën katër telefona celularë të cilët përmbanin informacione në lidhje me kultivimin dhe shitjen e kanabisit.
Ndërsa si blerësi kryesor u identifikua, Mohamoud Ahmed, 29 vjeç, nga Sorrell Drive, Newport Pagnell, i cilu u arrestua në flagrancë. Të akuzuarit u deklaruan fajtor në gjykatë më 23 korrik. Lazaj, u dënua me katër vjet e katër muaj burgim. Dano, u dënua me tre vjet e katër muaj burgim. Denis Mukaj dhe Aldi Mukaj, u dënuan të dy me dy vjet e tre muaj burgim. Të hënën, më 19 gusht, i pandehuri i fundit Ahmed doli para së njëjtës gjykatë ku u dënua me gjithsej tre vjet burgim. /ZËRI
Burimi