‘Maskaradë’, Rama reagon sërish për vrasjen e Egli Progës: U krijua çorbë e pistë kundër Policisë dhe Urgjencës
Edi Rama
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me vrasjen e Egli Progës në Pogradec, duke iu drejtuar atyre që sipas tij përhapën keqinformim dhe dezinformim. Rama i referohet atyre që shpallën se në deklaratat e policisë sot kishte kontradiktë, pasi më herët u raportua se autori i vrasjes Denis Meçe u vetëdorëzua, ndërsa më pas policia thotë se u kap falë punës së policisë. Rama shprehet se Denis Meçe u vetëdorëzua falë punës së policisë dhe jo si akti vullnetar i një vrasësi.
Reagimi i Ramës në X:
Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit! Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik. Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit e të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve dhe jo sajesave të njëri-tjetrit. Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.
Burimi