Mandati i Olta Xhaçkës/ PS i kërkon Gjykatës Kushtetuese të rihapë çështjen
Olta Xhaçka
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të rihapë çështjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Por kësaj here, Kuvendi kërkon edhe një mendim nga Komisioni i Venecias. Lëvizja është bërë nga vetë socialistët, që përmes Kuvendit të Shqipërisë i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese rihapjen e shqyrtimit për mandatin e Xhaçkës. Në shkresën e dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese, kërkohet një opinion “amicus curia” (mendim këshillimor) nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit, e njohur ndryshe edhe si Komisioni i Venecias. Nëse Gjykata Kushtetuese e pranon kërkesën e Kuvendit, atëherë çështja do të marrë edhe disa muaj derisa ekspertët e Komisionit të Venecias të vijnë në Shqipëri, të njihen me faktet dhe të përpilojnë një opinion për Gjykatën Kushtetuese.
SHKRESA:
“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre parashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Kushtetuesen,”- thuhet ndër të tjera në kërkesë.
Xhaçka mbante detyrën e Ministres së Jashtme në kohën kur Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit. Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate dhe i kërkoi Kuvendit që të vendosë për të kundërtën. Me 72 vota kundër të mazhorancës dhe 39 vota pro të opozitës, Kuvendi vendosi më 11 prill 2024 kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Vetë Xhaçka mohoi çdo akuzë, për përfitime të paligjshme apo konflikt interesi, ndërsa theksoi se bashkëshorti i saj ka vetëm status të investitorit të asistuar dhe jo atë të investitorit strategjik të veçantë. Pas vendimit të Parlamenti, opozita e çoi sërish në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Xhaçkës./ZËRI
Dokumenta bashkëngjitur
Burimi