Lirohen të gjithë të akuzuarit në rastin e “grushtshtetit” në Mal të Zi

Lirohen të gjithë të akuzuarit në rastin e “grushtshtetit” në Mal të Zi

Avokatët e të akuzuarve

PODGORICË- Të gjithë të akuzuarit në rastin e “grushtshtetit” në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi në vitin 2016, u shpallën të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Vendimin e mori një trup gjykues prej tre anëtarësh i gjyqtarit Zoran Radoviç.
“Nuk kishte asnjë provë se të akuzuarit ishin fajtorë për veprat për të cilat ngarkoheshin, kështu që ata lirohen nga akuzat,”- tha Radoviç.
Vendimi liroi shtetasit rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, të akuzuar për organizimin dhe financimin e ndryshimit të dhunshëm të Qeverisë në Mal të Zi. Gjithashtu u liruan udhëheqësit e Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiç – kryetar aktual i Kuvendit të Malit të Zi – dhe deputetët Millan Knezheviç dhe Mihajllo Çagjenoviç, pastaj gjenerali në pension i xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiç, si dhe shtatë shtetas të tjerë serbë, të arrestuar në ditën e zgjedhjeve më 2016.
Gjykatësi Radoviç tha se që dikush të shpallet fajtor, duhet të ketë fakte të sigurta dhe “të tilla nuk ka”.
“Armë nuk kanë hyrë kurrë në Mal të Zi. Pajisjet që është dashur të përdoren për të hyrë me forcë në Kuvend, nuk janë futur në Mal të Zi. Dhe, pretendimi se njësitë speciale është dashur të qëllojnë në policinë malazeze, nuk është vërtetuar,”- tha ai.
Në shpalljen e aktgjykimit nuk morën pjesë as prokurorët specialë dhe as të akuzuarit, por vetëm avokatët mbrojtës.
Prokuroria Speciale pritet ta apelojë vendimin. Ky është vendimi i dytë i Gjykatës së Lartë në një proces që zgjat që shtatë vjet, i bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila i ngarkonte të pandehurit për tentativë terroriste për të rrëzuar Qeverinë me dhunë, në vitin 2016./REL
Burimi