Kurum i vuri kyçin fabrikës duke ‘flakur’ në rrugë 500 punonjës, Braçe thirrje qeverisë: Mos e toleroni, kurrë më
Erion Brace dhe Kurum
TIRANË- Deputeti Erion Braçe i ka bërë thirrje qeverisë, që të mos e tolerojë më kompaninë Kurum, që ka hedhur në rrugë 500 punonjës, duke deklaruar mbylljen e fabrikës, pas zbulimit të skandalit me mbetjet toksike që u dërguar me kontejnerë drejt Tajlandës dhe Kinës. Braçe thotë se kompania turke nuk mund të ushtrojë presion dhe shantazh ndaj qeverisë, duke shfrytëzuar qindra punonjësit që tashmë janë lënë në rrugë. Braçe pranon në postimin e tij se Kurum ka qenë e privilegjuar dhe se e ka përfituar kontratën në mënyrë të padrejtë, në kufijtë e monopolit.
“Kurum nuk mund të marrë peng punëtorët! Kurum nuk mund të shantazhojë edhe një herë qeverinë me pengje njerëzore! Kurum duhet t’i nënshtrohet ligjit, t’i përgjigjet autoriteteve sipas ligjit, të çlirohet apo mbajë përgjegjësi në përputhje me ligjin! Asgjë më pak e asgjë më shumë! Punëtorët nuk hyjnë në këtë mes; madje me punëtorët Kurum po bën krim-edhe ky duhet hetuar! E ka bërë edhe një herë më parë këtë shantazh kur shpalli falimentin për t’i ikur hetimeve për evazion fiskal; jo më! Kurrë më! Nuk mundet një kompani të marrë peng punëtorët e të shantazhojë qeverinë me ta!
Nuk duhet toleruar! Po, ka qenë e privilegjuar e ka përfituar në mënyrë klienteliste-për mua të padrejtë, në energji, porte e metalurgji deri në kufijtë e monopolit, por ajo kohë ka mbaruar! Në anë tjetër, qeveria ka marrë vendimin e duhur për të mos pranuar këtu, mbetjet e dyshuara si të rrezikshme!
Qeveria i ka dhënë prioritet hetimeve dhe analizave dhe kjo është rruga! Përgjigje për ata që siç me një lodër kineze që nuk bën analize biologjike e kimike të produktit damkosen frutat e perimet, po njësoj kanë shpallur mbetje të rrezikshme duke shërbyer vetë si laborator, përgjigje dhe për gjithë arradhën e politiqenëve që deri dje ulërinin për importin e mbetjeve që nuk ekzistonte, sot ulërijnë për eksportin e mbetjeve që duhet provuar në janë të rrezikshme apo jo”, ka shkruar Braçe.
Gati 500 punonjës të kompanisë turke Kurum, që deri më tani punonin në uzinën e Çelikut në Elbasan kanë mbetur të papunë. Burime për ZËRI, bëjnë me dije se Kurum ka vendosur të mbyllë fabrikën, me argumentin se kostot e prodhimit janë të larta. Nga 1 gushti firma ka ndaluar prodhimin dhe nga 20 gushti edhe përpunimin, ndërkohë që asnjë njoftim nuk është dhënë nga firma turke, e cila për vite me radhë ka shfaqur probleme nga më të ndryshmet. Së fundmi, kjo kompani, është në qendër të akuzave pas lajmit se mbetjet e dyshuara si të rrezikshme të kësaj kompanie, iu shitën kompanisë Sokolaj dhe u bllokuan në Tajlandë, pasi nuk kishte autorizim për tu pranuar.
Mbetjet toksike të cilat kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare bashkë me Olaf, thuhet se u nisën nga impianti ‘Kurum’ pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike më pas i ka shitur tek kompania ‘Sokolaj’. Më pas, ‘Sokolaj’ ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.
Kompania “Kurum” nuk ka një histori të lumtur në Shqipëri dhe ka qenë objekt i lajmeve të herëpashershme në media. Denoncimet e punonjësve për shkurtimet e vendeve të punës, kushtet e këqija në punë, ndotja e mjedisit në qytetin e Elbasanit janë kryefjala që shfaqet për këtë kompani. /ZËRI
Burimi