Krim i rëndë në Greqi, burri vret ish-gruan dhe më pas veten. Vajza 13-vjeçare u përpoq ta ndalonte
Viktimat dhe pamje nga vendngjarja
GREQI- Një krim i rëndë ka tronditur këtë të premte Greqinë, ku një burrë ka vrarë ish-gruan e tij dhe më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij. Mediar greke raportojnë se autori i krimit, nuk ka pranuar dot ndarjen nga gruaja, me të cilën kishte dy fëmijë, e për pasojë ka ndërmarrë aktin tragjik, që çoi në dy viktima.
43-vjeçari kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij duke mbajtur një pushkë në dorë, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Vajza 13-vjeçare e çiftit, e cila ka vënë re të atin, ka filluar të bërtasë. Fqinji i tyre, i cili jetonte një kat më sipër banesës së ish-çiftit dëgjoi zërat, zbriti dhe pa autorin me armën në dorë. Ai u përpoq ta ndalonte, por s’mundi.
Gruaja në atë moment po kthehej në shtëpi me makinën e saj. I tërbuar dhe i vendosur, 43-vjeçari u hodh nga ballkoni mbi kofanon e makinës,duke qëlluar mbi 36-vjeçaren nga nga xhami i përparmë i mjetit.
Menjëherë më pas ka shkuar pas makinës së ish-bashkëshortes dhe ka vrarë veten.
Dy ditë më parë, të enjten, viktima kishte bërë kallëzim ndaj 43-vjeçarit për dhunë dhe kërcënim në familje, por nuk ishte bërë i mundur arrestimi i tij. Gruaja kishte deklaruar se nuk donte të qëndronte në një strehëz sociale, për gratë e dhunuara. Po në datën 12 maj të kaluar, autori u arrestua pas denoncimit të gruas së tij për dhunë në familje, fyerje, kërcënime dhe lëndime fizike, por u lirua nga burgu.
“Në orët e para të ditës së sotme, e shtunë, 13 korrik 2024, janë gjetur të vdekur një grua 36-vjeçare dhe një burrë 43-vjeçar në zonën e Amfilochia, me plagë të shkaktuara nga armë gjahu. Siç rezultoi nga provat e para, 43-vjeçari qëlloi gruan e tij 36-vjeçare, e cila u gjet e pajetë në një automjet dhe më pas vrau veten pak metra larg mjetit me të njëjtën armë, e cila u gjend pranë tij”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e policisë greke. /ZËRI
Burimi