KQZ vendos nesër për mandatin e Fredi Belerit, pr.vendimi: Nuk mund të ushtrojë këtë detyrë

KQZ vendos nesër për mandatin e Fredi Belerit, pr.vendimi: Nuk mund të ushtrojë këtë detyrë

Fredi Beleri

TIRANË-Pas më shumë se një viti pa kryebashkiak të ligjshëm, Himara duket se do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, pasi Apeli i Posaçëm vulosi dënimin me 2 vite burg për Fredi Beleri. Komisioni qendror i zgjedhjeve do të mblidhet nesër, për të diskutuar mbi vlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili qëndron në burg që prej muajit Maj të vitit të kaluar. KQZ njofton se do të miratojë projektvendim “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Alfred Beleri”.
Në projektvendim thuhet: Në nenin 10, pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 138/2015, përcaktohet se KQZ brenda kompetencave të veta, “…shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor…”. Në këto rrethana vlerësohet se z. Beleri i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Himarë nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.
Rendi i ditës:
1.Projektvendim “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.
2.Projektvendim “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues z. Gentjan Fiqiri Muça anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Demokratike e Shqipërisë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.
3.Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Vau-Dejës, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, zj. Sanilje Reshit Salja”.
4.Projektvendim “Për disa ndryshime në udhëzimin nr. 14, datë 9 qershor 2021, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për caktimin e kritereve, procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të licensuar (audituesve ligjorë) dhe kushtet kontraktuale për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik dhe subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre në fushatën zgjedhore”, i ndryshuar”.

Për shkak të ligjit të dekriminalizimit, betimi i Belerit si kryetar duket i pamundur dhe pritet që KQZ të konstatojë pavlefshmërinë e mandatit të tij, pas dënimit të formës së prerë edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Në përfundim të procedurave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fati i zgjedhjeve të reja në Himarë do të jetë në duart e Presidentit, i cili brenda 45 ditëve nga shpallja e vakancës duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve të reja.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Përfundimisht, Beleri do të duhet të vuajë 2 vite heqje lirie, edhe pse aktualisht është zgjedhur edhe si eurodeputet në Parlamentin Europian nën logon e partisë “Neodemokracia”, e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohej për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit./ZËRI
Dokumenta bashkëngjitur
Burimi