Kopertina e librit të Gjuhës Shqipe, shtëpia botuese ‘Albas’ për ZËRI-n: Magjistari me pelerinën ylber, simbol fëminor

Kopertina e librit të Gjuhës Shqipe, shtëpia botuese ‘Albas’ për ZËRI-n: Magjistari me pelerinën ylber, simbol fëminor

Libri i Gjuhës Shqipe për klasën e tretë

TIRANË-Kopertina e librit të Gjuhës Shqipe për klasën e tretë ka ngjallur debat në rrjete sociale. Në kopertinën e librit shfaqet një zanë, por jo si ato që jemi mësuar të shohim, me fustan rozë dhe shkop magjik. Kjo zanë ka një pamje krejtësisht të ndryshme me mjekër dhe fustan shumëngjyrësh, i ngjashëm me flamurin e komunitetit LGBT. Pamja e zanës me mjekër dhe veshja e fustanit ylber ka ngjallur reagime të ndryshme në publik, duke ngritur pyetje mbi mesazhet që u përcillen fëmijëve.
Shtëpia botuese ‘Albas’, e pyetur nga ZËRI në lidhje me mesazhin e kësaj kopertine dhe debatit në rrjetet sociale, ka njoftuar se prej tre vitesh teksti “Gjuha shqipe 3” përdoret në shkollë dhe asnjë prind, mësues apo fëmijë nuk është shqetësuar nga kopertina e tij. Shtëpia botuese ka sqaruar se sa i përket ylberit në fustanin e zanës me mjekër, është thjesht simbol fëminor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave. Ndryshe nga komentuesit, shtëpia botuese figurën e magjistarit në kopertinë e lidh me një poezi dhe veshja nuk duhet të bëjë problem, pasi sipas tyre magjistarët njihen për pelerinat e tyre ngjyra-ngjyra. Në një këndvështrim tjetër, ‘Albas’ thekson se ylberi përdoret edhe si simbol i ngjyrave të ndryshme të lëkurës, me anë të të cilit u shpjegohet fëmijëve se jemi të gjithë të veçantë dhe diskriminimi racor është shumë i gabuar. 
Reagimi i shtëpisë botuese:
Sqarim në lidhje me kopertinën e tekstit “Gjuha shqipe 3”. Duke u nisur nga zhurma në rrjetet sociale dhe në disa portale e medie, e ndiejmë për detyrë të sqarojmë çdo keqinterpretim në lidhje me kopertinën e tekstit “Gjuha shqipe 3″. Është kthyer tashmë në traditë që çdo vërejtje apo sugjerim nga mësuesit e prindërit, Ministria e Arsimit ua dërgon shtëpive botuese, dhe çdo vit tekstet ribotohen të përmirësuara. Është viti i tetë që teksti “Gjuha shqipe 3” përdoret në shkollë dhe asnjë prind, mësues apo fëmijë nuk është shqetësuar nga kopertina e tij. Ylberi është simbol fëminor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave, por dhe simboli i një dukurie aq të mrekullueshme të natyrës. Gjithashtu, përdoret edhe si simbol i ngjyrave të ndryshme të lëkurës, me anë të të cilit u shpjegohet fëmijëve se jemi të gjithë të veçantë dhe diskriminimi racor është shumë i gabuar. (Ka pjesë leximi për këtë temë). Sa për figurën e magjistarit në kopertinë (dhe magjistarët njihen për pelerinat e tyre ngjyra-ngjyra), kjo ka lidhje me një poezi, ku fëmija u lutet të gjithë magjistarëve të botës t’i falin një shkop magjik, me të cilin ai do të zhdukë lotët e vogëlushit të varfër, që ta gëzojë atë e t’ia mbushë jetën me ngjyra. Interpretimet tendencioze dhe diskriminuese, sa më shumë përhapen në rrjete sociale dhe në medie, aq më shumë thellojnë krizën që po kalojmë si shoqëri duke dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve.

/ZËRI
Burimi