Komisioni i Çështjeve Evropiane! Miratohet ‘Paketa e Maleve’! BEI do hapë zyrë në Shqipëri

Komisioni i Çështjeve Evropiane! Miratohet ‘Paketa e Maleve’! BEI do hapë zyrë në Shqipëri

Jorida Tabaku

TIRANË-Komisioni i Çështjeve Evropiane miratoi sot projektligjin “Paketa e Maleve” vetëm me votat e mazhorancës. Ky projektligj, që ka të bëjë me zhvillimin e rajonit të maleve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, do t’i kalojë Kuvendit për diskutim dhe miratim në seancë plenare. Miratimi i tij u realizua pas një vendimi të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) që rrëzoi vendimin e KQZ-së për bllokimin e projektligjit.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për “Paketën e Maleve”, i jep të drejtën të gjithë “investitorëve strategjikë” që të aplikojnë për të blerë prona shtetërore me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar.
Këshilli i Ministrave do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi dhe më pas do të jetë MEKI, ajo që do të krijojë një strukturë të posaçme që të bëhet inventarizimi për çdo zonë.
Në Komision është diskutuar sot edhe marrëveshja me Bankën Evropiane të Investimeve, e cila do të hapë një përfaqësi edhe në Shqipëri. Endrit Yzeiraj, zv/ministër i Jashtëm u shpreh se hapja e zyrës në Shqipëri është një gur themeli për integrimin e vendit në BE. Kryetarja e Komisionit të Integrimit dhe Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, tha se BEI po vjen për të ndaluar abuzimet me fondet nga qeveria.
“E nisa ditën sot edhe duke dëgjuar komentet në mbledhjen e grupit parlamentar. Që ta kuptojnë që të gjithë, hapja e grup-kapitujve nuk do të thotë që përfundoi procesi, e rëndësishme është të mbyllen grup-kapitujt. Ajo që nuk ndodhi për 13 vite po ndodh tashmë sot dhe nuk është ndonjë arritje e madhe. BEI po vjen për të ndaluar abuzimet me fondet e BE, sepse shpërdorimi i fondeve të IPARD është njollë e madhe për institucionet shqiptare”, tha deputetja demokrate. 
Edhe mazhoranca komentoi marrëveshjen duke mbështetur Yzeirajn, ku ligjvënësi socialist Etjen Xhafaj tha se “hapja e dy grupkapitujve brenda këtij muaji është patjetër gur themeli, ashtu si dhe hapja e dy grupkapitujve të tjerë në qershor”.
Banka Evropiane e Investimeve jep kredi me norma të ulëta interesi për projekte me rëndësi, kryesisht në transport, sektorin e furnizimit me ujë dhe në energji. 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente