Kishte mbushur furgonin ‘full’ me emigrantë, pranga të riut në Pogradec
Foto ilustruese
POGRADEC- Një 25-vjeçar i identifikuar me inicialet R.H është arrestuar këtë të dielë nga Policia e Pogradecit, pasi u kap duke transportuar 17 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, kundrejt fitimit. Blutë bëjnë me dije se i riu u arrestua në flagrancë në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Vërdovë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një telefon dhe furgoni. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISË:
Seksioni i Hetimit të DVKM Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informaciove të siguruara në rrugë policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: R. H., 25 vjeç, banues në Kodër-Kamëz, Tiranë.
25-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e lartpërmendura, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Vërdovë, Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me automjetin furgon tip “Opel”, kundrejt fitimit, 17 emigrantë nga Vendet e Treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët dhe një celular. Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë./ZËRI
Burimi