Kërkoi kthimin e apartamentit te “Kodra e Diellit”, Gjykata e Lartë rrëzon Monika Kryemadhin

Kërkoi kthimin e apartamentit te “Kodra e Diellit”, Gjykata e

Monika Kryemadhi

TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar ankimin e Monika Kryemadhit për heqjen e sekuestros së vilës në rezidencën “Kodra e Diellit”, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO. Vila e Kryemadhit u sekuestrua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me urdhër të SPAK.

“Mospranimin e rekursit të personit nën hetim Monika Kryemadhi, kundër vendimit nr. 67 (87-2024-385), datë 17.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Prona e sekuestruar është me sipërfaqe: kati përdhes 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë, kati nëntokë 139 m2, kati i parë 79 m2, kati i dytë 51 m2, verandë kati i dytë 27.9 m2. Vendimi i Gjykatës së Posaçme është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive.

Ndërsa në dhjetor të vitit 2024, Apeli i GJKKO vendosi të heqë nga sekuestrimi njërën nga vilat e Kryemadhit, e cila është në emër të nënës së saj, Fatimes.

Si Kryemadhi, ashtu edhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta; të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, prej në disa muajsh ndodhet në ambientet e paraburgimit të burgut “313” në Tiranë./ZËRI

Burimi