Kërcënoi Armand Dukën, gjykata lë në burg Nazmi dhe Petrit Selmanin, kreu i “Iliria”: Jemi miq, ishte moment gjaknxehtësie!
Nazmi Selmani dhe Armand Duka
DURRËS- Kreu i klubit “Iliria” të Fushë Krujës, Nazmi Selmani, doli sot para Gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij. Ndaj tij dhe Petrit Selmanit u caktua masa “arrest me burg”. Ndërsa për Brajan Locin, Adolf dhe Santiago Selmanin u caktua masa “detyrim paraqitjeje”. Para trupës gjykuese, Nazmi Selmani tha se ai ka një marrëdhënie miqësore me kreun e FSHF-së, Armand Dukën dhe se e gjithë përplasja mes tyre ishte një ngjarje e ndodhur në një moment gjaknxehtësie.
Kreu i klubit “Iliria” të Fushë Krujës, Nazmi Selmani, u arrestua bashkë me djemtë e tij dhe një tjetër person pasi akuzohen se kanë kërcënuar Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Konflikti mes tyre ka ardhur pasi Selmani ka kërkuar që Duka t’i fus një nga djemtë në kombëtare. Bëhet fjalë për Gentian Selmanin, që aktualisht është i angazhuar si portier në ekipin e Tiranës.
Mosrealizimi i dëshirës nga ana e Dukës, ka bërë që Nazmi Selmani të nisë mesazhe kërcënuese kundrejt Presidentit të FSHF-së. Më pas bashkë me djemtë e tij dhe një tjetër person i kanë shkuar në banesë. Ata u arrestuan menjëherë nga Policia./ZËRI
Burimi