Kërcënohet Armand Duka, pesë persona i shkojnë në shtëpi dhe e kanosin

Kërcënohet Armand Duka, pesë persona i shkojnë në shtëpi dhe e kanosin

Amrand Duka

DURRËS- Armand Duka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit është kërcënuar me jetë. Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se ka vënë në pranga pesë persona që e kanë kanosur me jetë Dukën, ndërkohë që ka proceduar penalisht dhe dy të tjerë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur një ditë më parë. 
Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, autorët fillimisht i kanë dërguar një mesazh kërcënues Dukës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij. Policia bën me dije se kërcënimi ka ardhur për shkak të detyrës, por ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur konkretisht mes Dukës dhe autorëve, apo se cilët janë personat që e kanë kërcënuar.
Njoftimi i policisë Durrës: 
Kërcënuan me sms për shkak të detyrës 62-vjeçarin, Policia kap dhe vë në pranga 5 shtetas si dhe procedon penalisht dy të tjerë. Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë. Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë. Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjitheshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim.
Burimi