“Kemi gjithë javën pa internet”, gazetarja denoncon kompaninë Tring: Askush nuk vjen ta shohë
Ola Xama
TIRANË- Gazetarja Ola Xama ka denoncuar kompaninë Tring në një postim në rrjetet sociale, pasi sipas saj prej pothuajse një jave i është ndërprerë shërbimi i internetit, edhe pse paguan rregullisht kontratën. Ajo shkruan se edhe pse kanë telefonuar disa herë kompaninë, duke iu shprehur shqetësimin e tyre, asnjë punonjës nuk ka shkuar për të parë në terren problematikën, ndërsa punonjëset përmes telefonit i thonë se mund të ndërpresë kontratën, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për problematikën e krijuar.
Postimi i gazetares:
Që në fillim të javës interneti nuk punon.
Kemi 3 ditë që marrim në telefon kompaninë Tring të cilën e paguajmë prej 12 vjetësh për të sjellë shërbimin e internetit. Përgjigjja e vetme që marrim është “do t’iu sjellim dikë”, por askush nuk vjen.
Dje madje i thamë që nëse nuk sjellin dikë, do të ndërpresim kontratën e shërbimit. “Ndërpriteni” u përgjigj e qetë punonjësja e kompanisë.
Sot po vrisnim mendjen mos njohim njeri te Tringu që të na sjellë internetin. Pastaj kujtohem që në fakt, unë paguaj këtë firmë të më sjellë internet dhe nuk ka përse të kërkoj mik!
Kompania paguhet prej afro 1 jave për internetin që nuk më sjell. Dhe kur kjo ndodh, pra kur paguan dhe askush nuk trembet, do të thotë që nuk funksionon asnjë hallkë e rregullatorit. Ndaj privati nuk ka frikë dhe punonjësi kalon turnin duke thënë “do të sjell dikë”.
Të vetmit që humbim jemi ne, sepse përveç internetit paguajmë dhe një institucion që duhet të na mbrojë nga abuzimi siç është AKEP, por që nuk është shqetësuar kurrë për konsumatorët. Rastet se si ky autoritet ka vepruar për të mbrojtur aktorët e tregut në vend të qytetarëve janë të panumërta.
Burimi