‘Kam njohje shumë lart…në ministri’/ Kapet mashtruesi në Korçë, i premtoi shokut “tender” por u zhduk (HISTORIKU)
Foto ilustruese
KORÇË- Një mashtrues është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Korçës, pasi premtonte tendera. Në informacionet që ka dhënë Prokuroria e Korçës, kallëzimi për të është bërë në vitin 2022. Denoncuesi pretendonte se i kishte dhënë të arrestuarit të identifikuar me inicialet E.T., një Iphone 13 pro max një Laptop i markës “I Mac” si dhe një shumë prej 700 euro për ta ndihmuar me një tender. Të gjitha këto pajisje i kishte marrë pasi i kishte premtuar denoncuesit se kishte njohje “lart” në ministri dhe bashki, ndaj do ta ndihmonte në tendera. Por për të aplikuar, u kishte thënë se i duheshin pajisjet që do përdoreshin si mostër për tenderin. Sapo i ka marrë këto pajisje dhe paratë është zhdukur dhe nuk u ka hapur më telefonin, por herët që kishin komunikuar i kishte thënë vetëm justifikme.
“Për të siguruar lekët, shtetasi E.T. tha se duhej një numër NIPT, dhe për këtë duheshin 150 000 lekë të reja për të hapur NIPT-in dhe ai mund ta realizonte me gjysmën e shumës, 75 000 mijë lekë të reja,”-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
I njëjti person ka qenë i dënuar edhe më parë për mashtrim. Në vitin 2008, ai ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 muaj burg. Më pas ishte dënuar sërish edhe dy herë të tjera. Njëherë në 2016 për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Mashtrimi”; e një herë tjetër në vitin 2017.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM KORÇË
Prokuroria Korçë kërkon ‘Arrest në burg’ për mashtruesin përsëritës, shtetasin E.T. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë kërkon masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal për shtetasin E.T. për veprën penale të ‘Mashtrimit’. Kërkesa vjen në kuadër të procedimit penal nr.496 të vitit 2022, në bazë të kallëzimit penal të bërë ndaj shtetasit E.T., se nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar një Iphone 13 pro max një Laptop i markës “I Mac” si dhe një shumë prej 700 euro.
Denoncuesi ka deklaruar se familja e tij ka një restorant në fshatin Boboshticë ku shtetasi E.T. ka qenë klient i zakonshëm i restorantit. Pas një njohje disa vjeçare, shtetasi E.T. shprehej se kishte njohje në ministri, bashki, etj dhe kishte shumë njohje që e mundësonin të kishte akses edhe në tendera. Pasi i thotë që të marrin pjesë në tender, shtetasi .E.T. u ka thënë se i duhej një aparat celular i markës “Iphone 13 Pro Max” dhe nje laptop “I Mac” dhe këto dy pajisje do ishin si mostër për tenderin.
Që në momentin që mori pajisjet me këtë shtetas nuk ka pasur kontakt për rreth disa ditë pasi u zhduk dhe nuk përgjigjej. Më pas vazhdonin justifikime që po vonohet ajo e bankës, po vonohet thesari, etj. Për të siguruar lekët, shtetasi E.T. tha se duhej një numër NIPT, dhe për këtë duheshin 150 000 lekë të reja për të hapur NIPT-in dhe ai mund ta realizonte me gjysmën e shumës, 75 000 mijë lekë të reja. Nga dëshmia e penalitetit e siguruar nga Prokuroria e Korçës, shtetasi E.T. rezulton i dënuar më datë 22.02.2008 nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka deklaruar fajtor për veprën penale të “Mashtrimit” me 3 muaj burgim aktualisht i rehabilituar. Ky shtetas rezulton fajtor me vendim gjykate më 2016 për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Mashtrimi”, i dënuar me 4 vjet burgim. Po kështu, më 2017 nga Gjykata e Lezhës është deklaruar fajtor për veprën penale “Mashtrimi” dhe është dënuar me 200000 lekë gjobë, etj.
Aktualisht, ky shtetas ka një procedim penal në Prokurorinë Tiranë po për Veprën penale “Mashtrimi” dhe është në proces hetimi. Ndërkohë ka në ngarkim edhe procedime penale për raste të tjera mashtrimi. Bazuar sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kërkon masën e sigurisë ‘Arrest me burg’./ZËRI
Burimi