Jo vetëm ‘Partizani’, SPAK hetim pasuror edhe për Fondacionin e Liri Berishës
Liri Berisha
TIRANË- Sali Berisha nuk është i vetmi në familje që po hetohet nga SPAK. Në “skaner” po kalon edhe bashkëshortja e liderit të Partisë Demokratike, Liri Berisha. Sipas “ReportTV”, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton edhe fondet e Fondacionit për Fëmijët Shqiptarë, organizatës joqeveritare të themeluar nga Liri Berisha.
“SPAK po analizon të ardhurat dhe shpenzimet e fondacionit, (zyrtarisht dedikuar për ndihmën e fëmijëve që i përkasin spektrit autikë), përfshirë donacione dhe blerje. Ndër të tjera, hetimi po prek edhe fondet e investuara për blerjen e një vile të Fondacionit në zonën e ish-liqenit të Farkës e cila përdoret si seli e biznesit,”-shkruhet në artikull.
Sipas të njëjtit burim SPAK po heton për herë të parë pasqyrat financiare të Fondacionit, por edhe pjesën tjetër të familjes. Ndërkohë që është kaluar në sitë pasuria e Jamarbër Malltezi, nuk ka shpëtuar nga SPAK as bashkëshortja e tij, Argita dhe djali i familjes Berisha, Shkëlzen Berisha. Me lupë po kontrollohen llogaritë bankare, kreditë, faturat, shpenzimet dhe të tjera pasuri të familjes.
Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar pas vendimit të marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur Berisha ishte kryeministër, kanë kryer shkelje në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit të klubit “Partizani”./ZËRI
Burimi