“Java e Gjelbër”/ Deputetët braktisin Kuvendin në prag të ndeshjes Shqipëri-Spanjë
FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Kuvendi sot nisi 30 minuta me vonesë. Në seancën plenare të “Javës së Gjelbër”, u diskutua për çështjet e evidentuara si problematika nga takimet e deputetëve me zgjedhësit në zonat e tyre zgjedhore.
Rendi i ditës vijoi me diskutime të deputetëve nga grupe të ndryshme parlamentare, të cilët gjatë diskutimeve të tyre ngritën problematika të evidentuara nga takimet me zgjedhësit në zonat e tyre elektorale si: investimet në turizëm dhe sezoni i ri turistik, ligjin për taksimin e profesionistëve të lirë, investimet në infrastrukturë, subvencionimi i fermerëve, azhornimi i tokave bujqësore, investimet në shëndetësi, problematikat e fermerëve, etj.
Çështjet më të spikatura ishin problemet e motit si dhe ato të fermerëve, të cilët po përballen me mbjetje të prodhimit, kryesisht drithërave. Vetë fermerët kanë deklaruar se drithërat që vijnë nga Ukraina dhe Serbia janë shkaku i kësaj situate, edhe pse cilësia e tyre rezulton të jetë më e dobët se prodhimi vendas. Në mbrojtje të tyre ngriti zërin deputeti Erion Braçe. Po ashtu gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe ka folur për tokat në lumin Seman pranë fshatit Imshtë dhe ato në lumin Shkumbin.
Ndërkohë deputeti Flamur Noka në fjalën e mbajtur në seancën e parlamentit ka folur për dy raportet e fundit ndërkombëtare, atë të OLAF dhe të UNICEF, që kanë rrëzuar propagandën e qeverisë së Edi Ramës. Nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj gjatë fjalës së tij u shpreh se ne qeverisemi nga robotë që sipas tij marrin pushtet për të vjedhur e vjedhin për të mbetur në pushtet.
Pas më shumë se dy orësh nga nisja e seancës, shumica e deputetëve dhe disa ministra e kanë braktisur sallën, në prag të ndeshjes së Kombëtares me Spanjën./ZËRI
Burimi